Dinamo e ka mbyllur gjysmën e kampionatit në krye të renditjes, për herë të parë që nga viti 2009 që e sheh veten mbi të tjerët në dhjetor. Në 15 javët në drejtimin e skuadrës, trajneri Ilir Daja ka marrë më tepër pikë se kushdo tjetër.
Dinamo ka fituar derbin e parë të këtij sezoni, 2-1 kundër Tiranës, pasi kishte barazuar në fazën e parë pa gola kundër bardhebluve dhe kishte arritur një humbje e një barazim kundër Partizanit. Tri pikët e së shtunës, shoqëruar me humbjen e Egnatias dhe barazimin e Partizanit e kanë ngjitur Dinamon në krye të renditjes, me pikë të barabarta me Vllazninë, kur ka mbetur pas gjysma e kampionatit. Një pamje e harruar për blutë që e shohin veten si kryesues në dhjetor për herë të parë që nga viti 2009, në sezonin e titullit të fundit kampion!
Një arritje speciale edhe në planin personal për trajnerin Ilir Daja, i rikthyer në stolin e bluve në ndeshjen e katërt të kampionatit, kundër Partizanit, mbyllur në barazim 2-2. Daja e ka drejtuar skuadrën në 15 ndeshje, gjatë të cilave ka arritur 7 fitore, 7 barazime dhe vetëm një humbje, duke grumbulluar 28 pikë. Gjatë 15 javëve që Daja ka qenë në krye të Dinamos, askush nuk ka grumbulluar më tepër pikë se ai.
Në këtë periudhë të kampionatit, Vllaznia ka marrë një pikë më pak se blutë, 27, ndjekur nga Partizani me 24 dhe Egnatia me 23, ndërkohë që blutë dhe kuqeblutë e Shkodrës janë skuadra edhe me numrin më të madh të golave të shënuar, nga 26.
Java e ardhshme do të jetë një provë zjarri për Dajën dhe të tijtë, takimi kundër Egnatias, kampione në fuqi dhe me ritmin e rigjetur deri në javën e 18-të, kur humbi me Teutën. Një ndeshje midis dy skuadrave të rilindura që mund të tregojë shumë edhe për forcat reale të së cilës.