Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, është shfaqur tepër i zhgënjyer pas humbjes së pësuar në Hamburg kundër Shahtjor Donjetskut. Ai ka pranuar se loja e skuadrës ka pasur rënie në lojë, duke e cilësuar paraqitjen ndaj ukrainasve si një nga më të dobëtat e ekipit të tij.
“Jemi në një moment jo të mirë të lojës. Kemi probleme si në momentin kur kemi zotërimin e topit edhe në momentin kur nuk e kemi në zotërim. Është një nga ndeshjet më të shëmtuara që mbaj mend vitet e fundit. Jemi në një moment të keq. Duhet ta njohim. Është turp, por duhet të vazhdojmë”, ka thënë fillimisht Ksavi.
Gjithsesi, tekniku i Barcelonës nuk ka dashur ta dramatizojë më shumë situatën, duke shtuar se kualifikimi është në dorën e skuadrës që ai drejton.
“Ne varemi nga vetja dhe ndeshja e radhës është në shtëpi kundër Portos. Atje mund ta arrijmë kualifikimin matematikisht. Së fundmi kemi luajtur futboll shumë të mirë. Është një çështje mendore, jo fizike. Jemi të bllokuar”, shtoi ai.
Trajneri i Barcelonës më tej ka vënë në dukje gabimet në mbrojtje me ekipin që pëson shpesh. “Mendoj se po i bëjmë gjërat gabim në përgjithësi. Ne po marrim gola sepse kujdesi ndaj kundërshtarit nuk është ai që duhet të jetë. Sepse presioni pas një humbjeje nuk është ai që duhet të jetë. Këto janë detaje që në këtë nivel e bëjnë dëmin e tyre. Unë kam një punë si trajner dhe lojtarët duhet të bëjnë një hap përpara”, tha ai.
Gjithsesi, Ksavi nuk e ka humbur besimin. “Ne duhet ta rikuperojnë nivelin tonë. Të rikuperojmë dinamizmin që kishim deri vonë. Mund ta kuptojmë se jemi në një rënie të vogël forme”.
PANORAMASPORT.AL