Kosova, gjatë ditës së sotme mund ta siguroj medaljen e parë olimpike në Paris.
Garat e xhudos në Olimpiadë kanë nisur të shtunën, ndërsa shpresat më të mëdha të Kosovës për medalje janë pikërisht në këtë sport.
E para që do të paraqitet në tatami është kampionia olimpike, Distria Krasniqi, e cila do të garojë në kategorinë deri 52 kilogramë.
Garat e kësaj kategorie nisin sot prej orës 10:00, por Distria si bartëse e dytë është e lirë në xhiron e parë.
Në xhiron e dytë, Distria e pret fituesin e duelit mes Maryam Maharani të Indonezisë dhe Jacira Ferreira të Mozambikut.
Në pjesën tjetër të shortit janë rivalet më të mëdha të saj, japonezja Uta Abe, Keldiyorova dhe francezja Amandine Buchard.
Mirëpo, nëse Distria është në ditën e saj dhe shfaq potencialin në tatami, atëherë podiumi nuk do të jetë problem për kampionen olimpike.
Për të qenë sa më e fokusuar për ditën e garës dhe për të dëshmuar synimet e saj për medalje olimpike, Distria Krasniqi nuk mori fare pjesë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike të premten mbrëma.
Distria nuk ishte në ekipin olimpik, i cili parakaloi me barkë në lumin Sena për shkak se kishte vendosur të pushoj.
Një veprim të tillë, Distria e kishte bërë edhe në Olimpiadën e Tokios, ndërsa një ditë më vonë e fitoi të artën për Kosovën.
Krahas Krasniqit, edhe katër xhudistët tjerë të Kosovës synojnë medalje në Olimpiadë, por ata do t’i kenë garat prej të hënës.
Të hënën, garojnë Nora e Akil Gjakova, të martën në tatami del Laura Fazliu kurse të enjten garon Loriana Kuka.
Në turneun olimpik të xhudos paraqiten 378 garues nga 122 vende, ndërsa garat e këtij sporti mbahen në “Champs de Mars Arena”, një objekt i përkohshëm që është ndërtuar në vitin 2021 dhe do të çmomohet në fund të këtij viti.