Sunday, 25. October 2026
Sport

Dita e 13-të e protestës, studentët mblidhen para Ministrisë së Arsimit

GS 25/10/2026 2 Min. Lesezeit

Studentët janë mbledhur sërish këtë të diel para Ministrisë së Arsimit, në ditën e 13-të të protestës së tyre. Aktualisht situata para institucionit paraqitet e qetë dhe nuk raportohen tensione apo incidente.

Të mbledhur përpara ministrisë, studentët vijojnë të kërkojnë dorëheqje, ndërsa në kor dëgjohen thirrjet “Dorëheqje” dhe “Revolucion”.

Gazetarja e RTSH, Keti Toroveci raporton se grupet e para të studentëve kanë mbërritur para Ministrisë së Arsimit, ku është vendosur edhe një kordon policie për të monitoruar situatën.

Për shkak të numrit të studentëve të mbledhur në rrugë, qarkullimi i automjeteve në këtë segment është ndërprerë.

Protesta vijon të zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa deri në këto momente nuk janë shënuar incidente apo përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Ministria e Arsimit ka qenë një nga pikat ku janë përqendruar protestat e studentëve, ndërsa gjatë protestave të mëparshme janë shënuar edhe episode dhune, përfshirë hedhjen e gurëve dhe djegien e zyrave të institucionit.

Një ditë më parë, protesta në Tiranë u shoqërua me kaos dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku pati të lënduar nga të dyja palët.

/rtsh.al/

Teilen: