Olivie Zhiru ka qenë i përfshirë në të paktën një gol në secilën nga tetë paraqitjet e tij të fundit në Serinë A (nëntë gola dhe tri asistime).
Që kur Opta mblodhi këto lloj të dhënash (2004/05), përpara francezit, vetëm Zlatan Ibrahimoviç (dy herë) ishte përfshirë në gola në të paktën tetë ndeshje radhazi me fanellën e Milanit në Serinë A: në 2010-‘11 (10) dhe në 2020-‘21 (8).
Ecuria mund të kishte qenë më e mirë nëse do të ishte aktivizuar të mërkurën ndaj Kaljarit, por Pioli vendosi ta ruajë për ndeshjen e nesërme kundër Lacios, ku kontributi i tij do të jetë shumë i rëndësishëm. E jo vetëm për të festuar 37-vjetorin.
Si e përjeton një titullar lënien në stol siç ndodhi kundër Kaljarit?
Jam shumë i lumtur që jam i dobishëm për skuadrën dhe jam gjithmonë gati për t’i ndihmuar shokët e skuadrës. Nëse nuk e bëj dot në fushë, jam aty për t’i mbështetur. Trajneri më tha se do të pushoja në atë ndeshje. Në fakt po luajmë shumë. Më e rëndësishmja është të kemi vazhdimësi në rezultate e të marrim tri pikët.
Si ju duket grupi i shokëve?
Ndonjëherë flas në dhomat e zhveshjes, por nuk është se ka nevojë shumë, por e rëndësishme është të kemi një grup të bashkuar. Në një klub si Milani e dimë rëndësinë e fitores, por ne jemi këtu për të fituar dhe për të vazhduar të jemi në krye të tabelës. Nuk heqim dorë nga asgjë, jemi të emocionuar sa herë luajmë dhe duam të fitojmë.
Çfarë prisni ndaj Lacios?
Duhet të presim që skuadra të dalë mirë, pasi, siç thashë, synojmë gjithmonë tri pikët. Kemi besim te të gjithë, ata që nisin si titullarë janë gati për të shënuar apo asistuar, por edhe ata që nuk luajnë e dinë se duhet të mbështesin shokët.
Kë do të zgjidhni mes titullit në kampionat dhe Champions-it?
Të dyja. Vitin tim të parë patëm një sezon të mrekullueshëm në kampionat, të dytin një sezon të shkëlqyer në Champions, këtë vit duam t’i bëjmë të dyja. Objektivi është të kalojmë grupin në Europë dhe të jemi pranë Interit në Serinë A. Duam të bëjmë mirë në të dy turnetë dhe kemi cilësinë për ta bërë, pasi jemi një ekip konkurrues.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL