Mbiemri që mban mbi shpatulla është me shumë peshë. Por edhe shkëndijat e para të Timoti Ueah, djalit të ish-”Topit të Artë” Zhorzh Ueah, aktualisht president i Liberisë, kanë qenë më shumë sesa pozitive dhe plot premisa për të ardhmen. I shpejtë, plot dëshirë, shumë vrapime, krosime e asiste për sulmuesit dhe mbi të gjitha një gol që në daljen e tyre sezonale, ndërsa e mbylli sezonin e kaluar në kuotën zero gola. Shkurt, Timoti Ueah duket se është lojtari i duhur për të bërë gjithçka në krahun e tij, lojtari që i mungonte Juventusit në sezonin e kaluar, por pse jo mund të jetë një “Mario Manxukiç” i ri për Masimilianio Alegrin.
OBJEKTIVAT – Sigurisht që është herët për të dalë në konkluzione, por ajo që Timoti ka lënë të kuptohet nga dy paraqitjet e para të bën të kuptosh se problemi i krahut të djathtë duket i zgjidhur, ndërsa në korsinë e majtë një surprizë e bukur ka qenë edhe Andrea Kambiaso, të cilin Juventusi dhe Alegri, pas rikthimit nga huazimi te Bolonja, e ka bllokuar dhe do ta mbajë në Torino. Me një të goditur, pavarësisht se pas largimit të Huan Kuadrados kishte shumë dyshime, Juventusi duket se ka bërë goditjen e duhur për të mbuluar shumë nevoja njëkohësisht mbi marzhin e aksionit dhe lojës më sulmuese që sivjet pretendon të zhvillojë Masimiliano Alegri.
Sigurisht, ky i fundit nuk i ka shpalosur të gjitha kartat që ai mendon të luajë në turneun amerikan, por padyshim që Timoti Ueah ka treguar se është një futbollist që di ta mbulojë të gjithë korsinë e djathtë, nga detyrat sulmuese, që është edhe pika e tij më e fortë, ashtu sikurse ato mbrojtëse. Dhe këtë aftësi për të bërë një dopiorol te bardhezinjtë, edhe vetë Ueah e ka përqafuar me entuziazëm dhe gatishmëri, madje premton të bëjë më shumë se kaq.
PRECEDENTËT – Në sezonin e kaluar Juventusi kishte provuar zgjidhje të ndryshme për rolin e anësorit të djathtë, në mesfushën me 5 futbollistë. Nga Kuadrado që ishte zgjedhja e parë deri te Kieza, madje në mes të tyre edhe një tentativë e “Kontit Maks” për të shpresuar se këtë rol mund ta bënte edhe Ueston MeKeni, që sivjet është kthyer nga huazimi te Lidsi dhe shpreson që të vazhdojë të mbetet në Torino. Gjithsesi, duke parë atë që ofruar në fushë, asnjë prej tri linjave dhe ideve të Alegri nuk kishte bindur. Kuadrado ndoshta kishte arritur në limitet e tij dhe nuk pedalonte më si më parë, duke qenë se rrallë herë ishte parë që ai të braktiste aftësinë e tij në kërkimin e driblimit një kundër një dhe më pas të lëshonte asiste në zonë, siç kishte bërë në 7 sezonet e mëparshme.
Kieza pastaj është një sulmues, të cilin sa më larg portës ta pozicionosh, aq më shumë e humb mundësinë e tij të shpërthimit dhe të kalimit të kundërshtarit, për t’u futur drejt zonës, madje edhe duke i hequr një mori me detyra mbrojtëse. Për sa i përket MeKenit, amerikani është sakrifikuar më shumë se çfarë mundej në këtë rol, i cili nuk i përshtatet për nga cilësitë. Sepse në fazën mbrojtëse mund të justifikohet, në atë të inkursorit të sulmit pati fare pak impulse. Gjithsesi, tashmë stafeta ka përfunduar edhe për Masimiliano Alegrin, falë djalit të një “Topit të Artë”. Ndonëse, vetëm muajt e ardhshëm dhe fillimi i sezonit të ri do të mund të thonë nëse Timoti Ueah është Mario Manxukiçi i ri…
PANORAMASPORT.AL