Davide Lippi, agjent futbollistësh dhe djali i ish-trajnerit të Italisë, Marcello Lippi, ka zbuluar për herë të parë se prej rreth një viti po përballet me probleme shëndetësore. Në një postim të gjatë në Instagram, ai falënderoi të gjithë njerëzit që i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe.
“Për momentin kam fituar një betejë, por jo luftën. Derisa të kalojë koha e nevojshme, duhet t’i mbajmë gjithmonë këmbët fort në tokë. Të kem pranë njerëzit më të dashur, që më tregojnë dashurinë dhe më japin forcën e nevojshme, është jashtëzakonisht e rëndësishme për të përballuar sfida të tilla, të cilat nuk mund t’i kuptosh vërtet derisa t’i përjetosh vetë.
Vetëm kur ke fatin të rrethohesh nga njerëz që të ndihmojnë të përballosh vështirësitë, mund të shohësh përpara”, – shkroi Lippi.