Tri vite pas deportimit nga Australia për shkak të mosvaksinimit kundër Covid-19, Novak Djokovic ka pranuar se ende përjeton një “traumë” kur viziton Melburnin. Këtë e ka rrëfyer për gazetën australiane ‘Herald Sun’.
Autoritetet australiane i mohuan hyrjen në vend në janar të vitit 2022, kur tenisti serb udhëtoi për të marrë pjesë në Australian Open. Djokovic nuk ishte i vaksinuar dhe qeveria i anuloi vizën për arsye të “shëndetit dhe rendit publik”.
Tenisti e kundërshtoi këtë vendim dhe u mbajt disa ditë në një hotel të emigracionit, ndërsa një gjykatë po shqyrtonte çështjen për të vendosur nëse do ta lejonte të hynte në vend pa marrë vaksinën. Ai argumentoi se e kishte kaluar virusin dhe ishte imunizuar.
Dyshimet gjatë kontrollit të pasaportave
Djokovic, 37 vjeç, i cili u kthye vitin pasues dhe fitoi Australian Open, ndodhet përsëri në tokën australiane, ku është shprehur për ndjesitë e tij sa herë që mbërrin në vend.
“Dy herët e fundit që kam zbritur në Australi, kur kaloj kontrollin e pasaportave dhe emigracionin, ndiej ende një lloj traume nga ajo që ndodhi tri vite më parë,” ka pranuar ai.
“Dhe disa gjurmë ende mbeten kur jam duke kaluar kontrollin e pasaportave. Vetëm për të parë nëse dikush nga zona e emigracionit afrohet. Personi që kontrollon pasaportën time, a do të më ndalojë përsëri apo do të më lërë të kaloj? Duhet të pranoj se e kam atë ndjesi,” shprehet Nole.
Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, ai preferon të kujtojë gjërat pozitive.
“Unë nuk mbaj mëri. Vitin tjetër u ktheva menjëherë dhe fitova. Prindërit dhe i gjithë ekipi im ishin aty dhe ishte me të vërtetë një nga fitoret më emocionale që kam pasur, duke marrë parasysh gjithçka që ndodhi një vit më parë,” shpjegon fituesi i 24 Grand Slam-ëve, 10 prej të cilëve në tokën australiane.
Djokovic, i cili nuk ka fituar asnjë titull që nga medalja e artë në Lojërat Olimpike të Parisit, do të kërkojë të arrijë fitoren e tij të 100-të në Australian Open këtë vit, pas humbjes në finalen e Open 250 të Brisbane para disa ditësh.