Në shtatorin e vitit të kaluar, Kosova fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, Kjo është njëra nga ngjarjet më të mëdha sportive e cila kërkon edhe investime të mëdha infrastrukturore, por në këtë drejtim ende nuk ka lëvizje konkrete në teren.
Federatat sportive kanë bërë thirrje që sa më shpejtë të nisin punimet dhe investimet në infrastrukturë. Kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani ka thënë për KosovaPress, se në rast të mos përgatitjes së duhur për këtë ngjarje, Kosova do ta përjetonte dështimin e shekullit.
“Obligim shumë i madh është që të kompletohemi para kohës së fillimit që është në vitin 2030. Unë besoj në dëshirën dhe mundësitë që çdo segment i çështjeve sportive, të stadiumeve, të shtigjeve e të tjera do të jenë gati që këto lojëra mesdhetare të mbahen në Prishtinë dhe t’i japin jehonë tërë botës…Nëse, që nuk guxoj ta them, mirëpo do ta them që nëse çalojmë ne do të biem në provim shekullor”, theksoi Sylejmani.
Kurse Sekretari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi, thotë se nuk kanë asnjë informacion rreth investimeve dhe se në teren nuk ka edhe më tutje asnjë lëvizje konkrete në këtë drejtim.
“Ne si federatë ende nuk jemi konsultuar apo nuk kemi pasur ndonjë takim ose grup punues, nuk kemi asnjë informacione se si do të shkojnë fazat. Me siguri që ka afate të cilat janë të caktuara se deri kur duhet plotësuar kushtet bazike. Kështu që edhe pse jemi në vitin 2024, unë po besoj që jemi shumë afër për shkak se organizimi i një ngjarje mjaftë të madhe siç janë Lojërat Mesdhetare kërkon një angazhim maksimal… Fatkeqësisht përveç fjalëve të cilat nuk janë zyrtare, asgjë konkrete deri më tani nuk kemi pasur”, ka theksuar Nikqi.
Ndërsa, drejtori i ekipeve kombëtare të hendbollit, Muhamet Arifi, ka thënë tashmë është koha e duhur për të nisur me ndërtimin e palestrave të reja sportive.
“Me vet faktin që kanë aplikuar për të marrë organizimin e Lojërave Mesdhetare është bërë një plan me të cilin është studiuar edhe puna e palestrave, e stadiumeve dhe infrastrukturës në përgjithësi në çfarë gjendje është që pastaj të intervenohet. Unë mendoj që tani është koha e duhur që të fillohet dhe të bëhen investimet e nevojshme që të përmirësohet gjendja aktuale dhe po ashtu të ndërtohen palestra të përshtatshme dhe të pranueshme për federatat përkatëse”, tha Arifi.
E njëjta thirrje vjen edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Zëdhënësi Kushtrim Krasniqi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, ka thënë se marrë parasysh volumin e punëve që duhen kryer, 2030-ta do vijë shumë shpejtë.
“2030 duket larg, por në fakt është shume afër, marrë parasysh punët që duhen kryer për të qenë gati për organizimin e LM Prishtina 2030. Besoj që shumë shpejtë do të miratohet Ligji për Lojërat Mesdhetare në Kuvend, që pason me formimin e Komitetit Organizativ të LM. Këto dy procese do të përshpejtojnë punët e parapara për t’u kryer deri në vitin 2029”, ka thënë Krasniqi.
Ligji për Lojërat Mesdhetare edhe me tutje nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës, derisa miratimi i tij do të hapte rrugë fillimit të punimeve në infrastrukturën e re sportive.