Në prag të ndeshjes së Shqipërisë kundër Serbisë të shtunën, sulmuesi i Burnleyt në Premier Ligë, Armando Broja ka dalë në konferencë për media.
Broja ka folur për mungesën e golit me fanellën kuq e zi, për shanset që Shqipëria ka për kualifikim në Kupën e Botës, si dhe për ndeshjen e shumëpritur ndaj Serbisë.
“Për mua më e rëndësishme është të fitojmë ndeshjet dhe të marrim tre pikët. Normalisht që kam qejf të bëj gola, por më bukur është të fitojmë ndeshjen dhe të ndihmoj ekipin. Kjo është një ndeshje futbolli. Është shumë e rëndësishme, por ne jemi shumë të fokusuar sepse është ndeshje e madhe. Luajmë jashtë shtëpie. Bashkë si skuadër do bëjmë çfarë duhet në fushë. Ka mundësi të bëj gola dhe në krahun e djathtë të sulmit. Unë kam dëshirë vetëm të ndihmoj ekipin. Edhe trajneri më thotë që duhet të jem i përqendruar, sepse rasti do të dalë. Në ndeshje mund të ketë vetëm një rast dhe të jem i fokusuar te ai rast për të shënuar. Kemi shanse maksimale. Është grup i vështirë, sepse kemi dhe Anglinë. Do të luftojmë deri në fund. Kjo është ndeshje shumë e rëndësishme dhe jemi të fokusuar ta fitojmë”, deklaroi Broja.
Përballja Serbi-Shqipëri luhet të shtunën në orën 20:45 dhe mund ta ndiqni në Klan Kosova me emision para dhe pas ndeshjes.