Teuta pret Bylisin në stadiumin “Niko Dovana”, për llogari të javës së gjashtë të Superiores. Kjo ndeshje do të zhvillohet të dielën në orën 17:00. Në prag të këtij dueli, trajneri i durrsakëve, Enkeleid Dobi doli në konferencën për shtyp, ku foli për gjëndjen e skuadrës dhe rëndësinë e tri pikëve.
Sfida me Bylisin – “Diferencat në kampionatin shqiptar nuk janë shumë të mëdha, Bylisi kohët e fundit ka një stabilitet, vazhdimësi, ka një trajner shumë me eksperiencë, kanë komplet fokusin dhe angazhimin tonë si një ekip solid dhe fokusohemi vetëm te loja jonë se këtu kemi ndikimin.
Strategjia – “Normale që përshtemi me mënyrat e lojës dhe taktikat e ekipit kundështar, presim që ata të luajnë kundër nesh, them se do të jetë një ndeshje shumë e bukur, pres angazhim maksimal nga ekipi im. Mobilizimi, fokusi dhe serioziteti duhet të jenë më të mëdha se deri tani. Ka lojtarë individualë, kreativë, janë të angazhuar, të mirë taktikisht. Respekt për kundërshtarin, por më shumë për veten tonë. Duhet të tregojmë edhe më shumë, po vjen një skuadër me personalitet i Teutës, që do të tregojë vlerat e veta. Kemi ndonjë mungesë, por prandaj është një grup, fati i keq i dikujt, është për fatin e mirë të dikujt tjetër, kërkohet serioziteti i lojtarëve, edhe me Elbasanin e treguan veten lojtarët e stolit, na mungoi vetëm fitorja”.
Tifozët – “Duhet të jemi më të konsoliduar, të kemi maturi por kjo vjen me kalimin e kohës. Çdo fitore është e rëndësishme, kjo me Bylisin do ishte një vërtetim i forcës dhe punës që kemi bërë deri tani. Tifozët janë lojtari jonë i 12-të, duam të kthejmë lavdinë që ka pasur ky stadium në vitet 90′ të shohim një ekip me personalitet”, deklaroi Dobi.