Xhenaro Gatuzo po përjeton një javë aspak të mirë, pasi humbja e skuadrës së Hajduk Spilt që ai drejton, përballë Dinamos së Zagrebit, e ka nxjerrë ekipin e tij nga lufta për titullin kampion. Një situatë e komplikuar për italianin, i cili është detyruar që jo pak herë t’i përgjigjet kritikave të tifozëve.
E fundit ka qenë ajo që ka lidhje me rrogën që përfiton në klubin e njohur kroat, edhe pse nuk po arrin që ta kthejë te titulli. Agjencia shtetërorë financiare kroate FINA, ka publikuar këtë javë pikërisht të dhënat rreth rrogës së tij, duke raportuar se ai përfiton pak më shumë se 450 mijë euro në sezon te klubi kroat.
Një shifër të cilën edhe Gatuzo e ka konfirmuar para mediave. “Nuk më shqetëson aspak, flitet prej shumë kohësh për këtë. Kështu mund ta shihni se sa përfitoj në të vërtetë. Është gjysma e asaj që thuhet”, deklaroi Gatuzo para gazetarëve, të cilët shpesh kishin shkruar se ai përfitonte më shumë se 1 milion euro në sezon në klubin kroat që kishte nisur këtë projekt me idenë e kthimit të titulli kampion.
PANORAMASPORT.AL