Çmimi i Madh i Australisë në Formula 1 i tejkaloi pritshmëritë. Spektakli ishte i garantuar, por sigurisht që pilotët, inxhinierët dhe mekanikët e makinave të reja të Formula 1 kanë ende punë për të bërë, pasi ndryshimet si në makina edhe në rregullore janë të shumta. Gjithsesi në këtë garë dominuan dy makinat Mercedes, të ndjekura nga Ferrari.
Një Mercedes i shkëlqyer, një Ferrari i fortë dhe një rregullore e re, këto ishin risitë që u panë në veprim në pistën e Melburnit dhe gjithashtu një riorganizim i caktuar vlerash. Çmimi i madh i Australisë, që nisi Kampionatin Botëror 2026 dhe epokën e re teknike të F1, pa triumfin e shumëpritur të Mercedesit. George Russell mori në shtëpi fitoren e gjashtë të karrierës së tij përpara shokut të tij të skuadrës, Kimi Antonelli.
Por Ferrari ishte aty, duke rivalizuar dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë tifozët e makinës italiane, të cilët panë në podiumin e Melburnit edhe një pilot me uniformë të kuqe. Eshtë Charles Leclerc që e mbylli garën në vendin e tretë ndërsa vendi i katërt ishte për Leëis Hamilton. Gjë që konfirmon një performancë superiore krahasuar me McLaren dhe Red Bull, pasi kampioni i botës Lando Norris u vendos në vendin e pestë dhe Max Verstappen në të gjashtin.
Makinat e kuqe konfirmuan forcën e tyre në fillim, me një sprint të shpejtë që i lejoi Leclerc, nga vendi i kat]rt të merrte kryesimin në kthesën 1 dhe Hamilton të ngjitej në vendin e tretë. Por pasiguria rreth rregulloreve të reja ishte e prekshme. Makinat sulmuan, parakaluan por edhe mbetën pas, për shkak të menaxhimit të energjisë.
Për sa i përket spektaklit, ishte një ndryshim i madh nga e kaluara, megjithëse gjykimet përfundimtare do të duhet të presin disa gara, kur inxhinierët do të kenë më shumë informacion për të sugjeruar strategji të ndryshme për pilotët.