Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të jetë i pranishëm këtë të premte në ceremoninë zyrtare të shortit të Botërorit 2026, që do të zhvillohet në Kennedy Center, në Washington. Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë, duke e cilësuar këtë eveniment si nisjen simbolike të turneut që SHBA-ja do të organizojë së bashku me Kanadanë dhe Meksikën verën e ardhshme.
Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, deklaroi se presidenti e sheh Kupën e Botës si një “projekt kombëtar prioritar”, në përputhje edhe me përgatitjet për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, që do të shënohet më 4 korrik 2026.
Pas shortit, FIFA pritet të publikojë të shtunën edhe kalendarin paraprak të ndeshjeve, së bashku me stadiumet dhe oraret në të tri vendet mikpritëse: SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ceremonia do të shoqërohet edhe me një risi të rëndësishme: ndarja e Çmimit të Paqes të FIFA-s. Sipas raportimeve, ky çmim mund t’i akordohet vetë presidentit amerikan, një figurë që më herët ka shprehur ambicie për Çmimin Nobel të Paqes. Sipas FIFA-s, ky çmim synon të nderojë individë që, me angazhimin dhe veprimet e tyre, kanë kontribuar në përhapjen e paqes dhe në bashkimin e njerëzve në mbarë botën.
Ndërkohë, është bërë e ditur se Irani do të bojkotojë shortin, pasi disa anëtarëve të delegacionit nuk u janë dhënë vizat për të hyrë në territorin amerikan.


