Xhanluixhi Donarumma te Juventusi është një frazë tërheqëse që rikthehet dhe rikthehet periodikisht, dhe kjo verë nuk bën asnjë ndryshim.
Nëse “afrimi” i parë i portierit të kombëtares italiane te bardhezinjtë daton para kalimit te Paris SG-ja, në vitin 2021, e fundit është pikërisht këto ditë dhe është frymëzuar nga shitja e mundshme e Vojçek Sheznit te Bajerni i Mynihut. Skenari në letër është shumë i thjeshtë, ikën Shezni dhe te Juventusi mbërrin Donaruma.
Por nëse në letër një marrëveshje e tillë bëhet me një të rënë të lapsit, në praktikë nuk duket se është dhe kaq e lehtë.
Që Bajerni i Mynihut po kërkon një portier, duke pasur parasysh pasigurinë e gjendjes fizike të Noierit dhe me Zomerin të destinuar për tek Interi kjo nuk është sekret. Por polaku i portës së Juventusit nuk duket se qëndron në “pole position” për bavarezët. Bajerni ka piketuar spanjollin e Brentfordit David Raja si portierin e ardhshëm.
Negociatat duket se janë adresuar mirë, por janë ende larg përfundimit, mbi të gjitha, sepse Bajerni tani është i fokusuar te Herri Kejn. Pra, për Shezni-Bajern ka dy pengesa: koha, e cila premton të jetë e gjatë, dhe mbi të gjitha konkurrenca nga Raja.
Edhe nëse kjo situatë do të zhbllokohej, trokitja në derën e PSG-së për Donarumën nuk do të ishte e lehtë. Ndoshta vetëm një dëshirë e fortë e Donarumës për t’u kthyer në Itali, veçanërisht pas grabitjes së pësuar në Paris, mund t’i hapë një dritare Juventusit.
PANORAMASPORT.AL