Mesfushori uellsian, Aaron Ramsey, që prej korrikut është pjesë e klubit meksikan Pumas UNAM, po kalon një periudhë shumë të vështirë jashtë fushave të futbollit. Qeni i tij i dashur, Halo, është zhdukur në rrethana ende të paqarta, duke e tronditur rëndë futbollistin dhe familjen e tij.
Sipas medieve meksikane, Halo është zhdukur në fillim të muajit në afërsi të një hoteli për qen në zonën San Miguel de Allende, në shtetin e Guanajuatos, ku ishte lënë nga familja e Ramsey-t për kujdes të përkohshëm.
I tronditur dhe i dëshpëruar, Ramsey ka përdorur rrjetet sociale për të kërkuar ndihmë nga ndjekësit dhe banorët lokalë. Ai ka bërë disa postime ku njofton se ofron një shpërblim prej 10 mijë dollarësh (rreth 8.500 euro) për këdo që ndihmon në gjetjen e qenit të tij 10-vjeçar.
“Jemi me zemër të thyer. Halo është pjesë e familjes sonë. Ju lutem, nëse dikush e sheh, më kontaktoni. Duam vetëm ta kemi përsëri pranë nesh, të sigurt,” – ka shkruar lojtari.
Në kërkimin për Halo-n janë përfshirë edhe shumë organizata për mbrojtjen e kafshëve, ndër to Petloc, një platformë që merret posaçërisht me kërkimin e qenve të humbur.
Pas disa ditësh pa informacione, Ramsey ka shprehur indinjatën e tij ndaj mënyrës si është trajtuar rasti:
“Kemi qëndruar të heshtur duke u përpjekur të kuptojmë si është e mundur që e dorëzon qenin në një vend dhe nuk e sheh më kurrë. Pa asnjë shpjegim? Kamerat nuk kanë regjistruar, pajisja e ndjekjes nuk e gjeti, nuk ka asnjë dëshmi, vetëm një grumbull gënjeshtrash. Duam vetëm të dimë çfarë ndodhi, të mund të përshëndetemi dhe të ecim përpara. Si mund të ecim përpara nëse nuk dimë nëse ajo është gjallë apo jo?”
Në publikimin e tij më të fundit, Ramsey shprehet me dhimbje:
“Çfarë nuk do të jepja që të të përqafoja edhe një herë…”
Historia e Aaron Ramsey-t ka prekur mijëra ndjekës në rrjete sociale, të cilët po e mbështesin mesfushorin në përpjekjet e tij për të gjetur Halo-n, që për të dhe familjen e tij është shumë më tepër se një kafshë shtëpiake.


