Me përfundimin e sezonit në Ligën e Parë, Feronikeli 74 nga grupi A dhe Fushë Kosova nga grupi B, siguruan kalimin në nivelin më të lartë të futbollit në Kosovë.
Dy klubet rikthehen në Superligë në sezonin e ri 2022/2023, pasi i përfunduan si liderë 27 xhirot e sezonit që përfundoi të dielën.
Vendet e dyta, Ulpiana dhe Liria, do ta zhvillojnë duelin e barazhit më 27 maj në stadiumin “18 qershori” në Klinë.
Fituesi në misionin e kualifikimit e ka edhe një pengesë, pasi duhet të ballafaqohet me pozitën e 8 të Superligës, që përcakohet në fundjavë në xhiron e fundit.
Kushdo që përfundon aty, Ferizaj apo Trepça’89, kanë edhe një shpresë për mbijetesë sepse më 4 qershor në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndeshen me fituesin e barazhit të Ligës së Parë.
Një ditë më vonë, më 5 qershor në kryeqytet, përfundon sezoni me finalen e Kupës, Prishtina-Gjilani.
“Fadil Vokrri”, “Zahir Pajaziti” dhe “18 qershori” janë shtëpitë e këtyre tri takimeve të rëndësishme, ndërsa “Artmotion” është platforma ku pasionantët e futbollit mund t’i përcjellin ato.