Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) përmes një komunikate ka bërë të ditur se drejtori ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak do të qëndrojë sot për një vizitë një ditore në Kosovë.
Qëllimi i vizitës së Novak do të jetë për ta përkrahur FBK-në për punën e palodhshme që po e bën bordi në krye me kryetarin, Arben Fetahu në zhvillimin e basketbollit në Kosovë, raporton KosovaPress.
Novak fillimisht do të vizitojë zyrat e FBK-së, ndërsa më pas do të ketë një drekë pune me Komitetin Ekzekutiv të FBK-së.
Po ashtu, Novak do të jetë prezent në ndeshjen mes Kosovës dhe Maltës që do të zhvillohet në kuadër të Kampionatit Evropian, Divizioni C për meshkuj U16.
Menjëherë pas kësaj përballje Novak udhëton drejt Prizrenit, ku edhe do të ndjek nga afër përballjen mes Kosovës dhe Zvicrës, në kuadër të raundit të tretë parakualifikues për Eurobasket 2025.
Në tetor të vitit të kaluar vendin tonë e kishte vizituar Andreas Zagklis, Sekretari Gjeneral i FIBA Botës.