Drejtori Ekzekutiv i FIBA Europe, Kamil Novak, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ka folur për rëndësinë e zhvillimit të lojtarëve të rinj, bashkëpunimin me Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe perspektivën që Kosova të organizojë në të ardhmen ngjarje të rëndësishme evropiane në basketboll.
Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, ai ka vlerësuar punën dhe strukturën e FBK-së, ndërsa ka theksuar se përmirësimi i infrastrukturës sportive në vend do të jetë një hap i madh drejt organizimit të ngjarjeve madhore.
“Ne u ftuam nga Federata e Kosovës për të mbajtur mbledhjen e Komisionit të Rinisë këtu, në kuadër të ngjarjes Under-14 Get-Together. Under-14 Get-Together është një ngjarje vjetore e organizuar nga FIBA Europa, ku mblidhen ekspertët nga të gjitha federatat që punojnë me zhvillimin e lojtarëve të rinj. Kjo është pikërisht një nga shtyllat kryesore të FIBA Evropës. Ne duam të mbështesim zhvillimin në bazë dhe zhvillimin në secilën federatë kombëtare. Këtu kemi ekspertët nga federatat tona kombëtare që po drejtojnë ngjarjen. Kjo nuk është një ngjarje për sekretarët e përgjithshëm të federatave, por për ekspertët që përballen çdo ditë me detyrën dhe sfidat e zhvillimit të lojtarëve. Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ata të shkëmbejnë përvojat e tyre”, tha Novak.
Drejtori i FIBA Europe ka vlerësuar punën që po bën Federata e Basketbollit të Kosovës, e cila është shndërruar në një partnere të besueshme për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare.
“Ne shohim rritjen, shohim se si po ecin përpara. Federata e Basketbollit të Kosovës u bë ajo që unë e quaj një mikpritës i rregullt i ngjarjeve tona: Youth Eurobasket, kampionatet e vendeve të vogla dhe të tjera, dhe ne e dimë që nuk mund ta organizojë kushdo. Nëse dëshiron të organizosh dhe e bën rregullisht, kjo do të thotë se kini një bazë, talent, njerëz, vullnetarë, strukturë. Struktura është jashtëzakonisht e rëndësishme. Për ne, të punosh me Federatën e Basketbollit të Kosovës është thjesht një kënaqësi”, tha Novak.
Novak foli edhe mbi rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës sportive, sidomos në prag të Lojërave Mesdhetare 2030.
“Ne e dimë që në vitin 2030 Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare. Kjo ishte pjesë e diskutimeve tona dhe kuptuam që disa objekte duhet të ndërtohen për këtë ngjarje. Kjo do të jetë trashëgimia që do të mbetet këtu, jo vetëm për basketbollin, por në fakt për të gjitha sportet në Kosovë. Kjo është pikërisht ajo që ndihmon zhvillimin e çdo sporti nëse organizon ngjarje. Prandaj e thashë që për Federatën e Kosovës, organizimi i të gjithë Euro-basketeve në vitet e mëparshme ka qenë i rëndësishëm dhe padyshim që kjo do të ndihmojë gjithashtu vendin për të organizuar Lojërat Mesdhetare, sepse vetëm tani keni këtu në vend jo pesë, jo dhjetë, por mijëra ekspertë që kanë drejtuar gara të tilla si Eurobasket i BE-së. Jam shumë optimist dhe, natyrisht, mezi presim të shohim se si do të vazhdojë ndërtimi i objekteve”, tha Novak.
Novak thotë se Kosova mund të synojë të organizojë ngjarje të mëdha basketbolli në të ardhmen, duke u bazuar në potencialin e tanishëm.
“Organizimi i Lojërave Mesdhetare, natyrisht, do të ketë disa objekte të përmirësuara dhe të reja. Dhe ndoshta e dini që një nga vendet mikpritëse të EuroBasket 2025, që është ngjarja më e madhe e organizatës sonë, ishte Qiproja. Qiproja padyshim nuk është më e madhe se Kosova dhe ata bënë mirë. Nuk e besonin të gjithë që mund ta realizonin, por ata e realizuan. Pra, pse, thjesht po hedh një pyetje në ajër, Federata Kombëtare e Basketbollit e Kosovës nuk mund të mendojë të bëhet pjesë, ndoshta të organizojë fazën e grupeve të EuroBasket 2033 ose gradualisht të organizojë fazën e grupeve të EuroBasketit të femrave, që padyshim ata mund ta përballojnë. Pra, mund të shoh që ka një të ardhme për Federatën e Basketbollit të Kosovës për të organizuar ngjarje kryesore evropiane, edhe në kategorinë e seniorëve”, tha Novak.
Ndryshe, Novak qëndroi për dy ditë në Kosovë ku ishte i pranishëm në hapjen e FIBA Europe U14 Get – Together, ngjarje kjo që ka mbledhur në Kosovë rreth 60 trajnerë të basketbollit nga gjithë Evropa.


