Luis Kampos, drejtori ekzekutiv i PSG-së, insiston se “Topi i Artë” në këtë edicion duhet të përfundojë në duart e Ousman Dembele. Duke folur për “RMC”, ai theksoi se askush tjetër nuk e meritonte më shumë se sa francezi.
“Ousman Dembele ka shënuar 35 gola dhe ka dhënë 16 asiste. Ai është votuar si lojtari më i mirë i Ligës së Kampioneve, lojtari më i mirë i kampionatit, e mbylli si golashënuesi më i mirë në kampionat. Ka fituar gjithçka. Nëse do quhej Leo Mesi apo Kristiano Ronaldo nuk do të kishte diskutime.
Nëse nuk fiton “Topin e Artë”, atëherë kjo do të jetë për shkak se personat që e kanë votuar nuk janë kompetentë për të votuar. Pasi statistikat e tij dhe ato që ka fituar janë shumë të forta. Sipas mendimit tim, kush e meriton është Ousman Dembele. Sipas meje, nuk ka diskutim.
Jamal? Unë flas për sezonin e kaluar, jo për projeksionin e Jamal në të ardhmen. Në këtë sezon, lojtari me statistikat më të mira në të gjithë kompeticionet është Dembele. Edhe Hakimi apo Vitinja që fitoi Ligën e Kombeve, kishin sezone të jashtëzakonshme, por e vërteta ëshë që më i miri në Ligën e Kampioneve dhe Ligën 1 ishte Dembele. “Topi i Artë” duhet të jetë i tij. E projektojmë Jamal si një lojtar me vlerë të madhe për të ardhmen. Por po flasim për një sezon shumë specifik. Trofetë kanë qenë vendimtar në gjithë vitet e mëparshme dhe çfarë ka fituar Jamal? Vetëm kampionatin spanjoll”, tha Luis Kampos.