Superliga Europiane është vënë në lëvizje përsëri pasi Gjykata Europiane e Drejtësisë ka vendosur që UEFA dhe FIFA nuk mund të ndalojnë apo penalizojnë skuadrat për pjesëmarrjen në një turne paralel. Dhe me sa duket, ka një ide të parë se kush mund të jenë skuadrat e para që do të aderojnë në strukturën e re ku do të jenë tre kategori të ndryshme dhe 64 skuadra pjesëmarrëse.
Bernd Reihart, shefi ekzekutiv i A22, kompanisë që po mbështet Superligën Europiane, ka bërë të qartë se është i hapur për diskutime rreth formatit, por shumë shpejt do të ketë edhe një lajm rreth emrit të skuadrave pjesëmarrëse në edicionin e parë të këtij turneu.
“Jemi të hapur për dialog me të gjithë familjen e botës së futbollit. Jemi shuëm të lumtur që klubet mund të shohin propozimin tonë në dritën e diellit dhe të lirë nga kërcënimet e sanksioneve. Dialogu ynë do të jetë për të bindur klubet dhe tifozët që ky propozim është për të mirën e futbollit”, tha ai për “ANSA”.
“Kur do të nisë turneu i ri? Nuk duam të bëjmë spekulime, por do të jetë sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk jemi një kampionat separatist, kemi anuluar anëtarësinë permanente. Nuk kemi firmosur letra, deshëm thjesht të kuptonim se cili ishte turneu më i mirë i mundshëm. Nëse tani do të spekulojmë mbi klubet e interesuara, thjesht do të krijojmë ndasi, por nuk duam ta bëjmë. Në vijim do të tregojmë kush janë 64 klubet që do të nisin Superligën e parë”, tha ai.
PANORAMASPORT.AL