Humbja e fundit kundër Fiorentinës nuk e ndryshoi skenarin dhe pushimi për kombëtaret nuk çoi në reflektime: Paulo Fonseka vazhdon të gëzojë besimin e plotë të Milanit.
Në klub ekziston bindja për të ecur përpara me portugezin i cili alternoi rezultatet pozitive me paraqitjet zhgënjyese në 100 ditët e tij të para si kuqezi.
“Djalli” nuk është ende skuadra që Ibrahimoviç, Furlani dhe Monckada kishin në mendje kur duke “djegur” kandidaturën e Lopetegit, zgjodhën ish-trajnerin e Romës dhe Lilës për trashëgiminë e Piolit.
Në “Casa Milan” janë të bindur se 51- vjeçari është njeriu i duhur për projektin dhe se i duhet dhënë pak më shumë kohë që Milani i tij të gjejë vazhdimësinë e performancës të nevojshme jo vetëm për të arritur objektivin minimal (vendin e katërt dhe kualifikimin për vendin Champions-in e radhës, por edhe për të luftuar për titullin.
Sipas krerëve kuqezi, sezoni është ende i gjatë dhe ka vend për të rregulluar gjithçka. Me shpresën që dy nokautet e fundit kundër Leverkusenit dhe Fiorentinës i kanë mësuar diçka Hernandezit me shokë.
Rileximi i ftohtë i humbjes në Firence i shtyu drejtuesit e klubit të Milanit të mendojnë se, pa kaosin e dy penalltive të “shpronësuara” nga Teo dhe Abraham në dëm të Pulisicit dhe golin e vendësve me gabim vendimtar të Tomorit, skuadra ofroi një paraqitje pozitive, krijoi mundësi shënimi dhe vetëm sa duhet të mësohet të jetë më konkrete. Në këtë aspekt, nënvizohet se Fonseka mund të bëjë pak, por në të njëjtën kohë besohet se me sulmuesit e kalibrit të Leaos, Moratas, Abrahamit dhe Pulisiçit rendimenti para porte do të rritet dhe do të mbulojë disa defekte në mbrojtje, të cilat për momentin nuk janë ende eliminuar. Do të duhet më shumë punë në fushë dhe më shumë përqendrim nga të gjithë. Me tre pikët nga Firence, vendi i parë në renditje do të ishte vetëm dy pikë larg dhe tani të gjithë do ta shihnin të ardhmen me sy tjetër. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rruga për në krye të renditjes është e bllokuar përfundimisht.
Xherri Kardinale dhe të besuari e tij e dinin se duke u fokusuar tek Fonseka dhe ideja e tij për futbollin proaktiv, do të ishte i nevojshëm një transformim sepse skuadra, e revolucionarizuar në verën e 2023, u modifikuar vetëm me disa shtesa të synuara. Milani që trajneri portugez ka në mendje, pra, duhet të formësohet me punë në fushë dhe jo me miliona në merkato. Dhe për këtë arsye pritej të kishte disa vështirësi në ndeshjet e para. Gjë që ndodhi menjëherë dhe çoi në reflektime megjithatë pa… pasoja ekstreme (d.m.th. shkarkimi i trajnerit). Shpresa ishte që pas “shpërthimit” në derbi të mos kishte ngadalësim me dy humbje të fundit radhazi, por besimi te Fonseka megjithatë nuk ka ndryshuar. Paulo ishte dhe konsiderohet si njeriu i duhur për Milanin.