Drenica ka marrë një fitore të vlefshme në shtëpi, duke mposhtur Malisheva me rezultat 4-2 në një ndeshje të mbushur me ritëm dhe emocione, në kuadër të javës së 25-të të elitës së futbollit kosovar.
Vendasit e nisën më mirë takimin dhe arritën të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 33-të, kur Igball Jashari finalizoi një aksion të bukur për epërsinë 1-0.
Megjithatë, mysafirët reaguan në fund të pjesës së parë, duke barazuar shifrat në kohën shtesë me golin e Diattas për 1-1.
Pjesa e dytë solli më shumë dramë dhe gola. Drenica riktheu avantazhin në minutën e 76-të, sërish përmes Jasharit që realizoi golin e tij të dytë personal për 2-1. Vetëm katër minuta më vonë, skuadra vendase thelloi epërsinë, kur Kreshnik Uka shënoi për 3-1.
Malisheva nuk u dorëzua dhe ngushtoi rezultatin në 3-2 në minutën e 83-të, duke rihapur ndeshjen, por shpresat e tyre u shuan në fund, kur Andi Veliqi vulosi fitoren me golin e katërt për Drenicën.
Me këtë sukses, Drenica ngjitet në kuotën e 25 pikëve duke mbajtur vendin e nëntë në tabelë, ndërsa Malisheva mbetet në pozitën e katërt me 37 pikë.