Drita ka arritur një fitore minimale me rezultat 1-0 në udhëtim ndaj Prishtinës së Re në kuadër të javës së 32-të në Albi Mall Superligë.
Pjesa e parë nisi me një ritëm të ngadaltë, me Dritën që dominonte në aspektin e posedimit, por pa krijuar raste të qarta shënimi. Megjithatë, situata ndryshoi drejt fundit të pjesës së parë, kur mysafirët goditën traversën me Jorgo Pëllumbin, duke dhënë sinjalet e para për rritjen e rrezikshmërisë.
Në minutën e 39-të, Kristal Abazaj u pengua brenda zonës dhe nga penalltia Besnik Krasniqi realizoi për 1-0, rezultat që doli të mbetej përfundimtar.
Në pjesën e dytë, Drita menaxhoi mirë epërsinë e krijuar, ndërsa Prishtina e Re, pavarësisht disa rasteve të rrezikshme, nuk arriti të barazojë shifrat.
Me këtë fitore, Drita shkon në kuotën e 63 pikëve, tetë më shumë se Ballkani në vendin e dytë, i cili ka një ndeshje më pak të luajtur. Ndërkohë, Prishtina e Re mbetet në pozitën e fundit në tabelë me vetëm 28 pikë të grumbulluara.