Kampioni i Kosovës, Drita, ka bërë lëvizjen e radhës në merkato, duke zyrtarizuar transferimin e mesfushorit shqiptar, Eduart Rroca.
Klubi nga Gjilani, pas emërimit të Ardian Nuhiut në krye të skuadrës, ka vijuar punën për përforcimin e ekipit dhe këtë herë ka siguruar shërbimet e një futbollisti me përvojë të madhe.
Drita e ka konfirmuar transferimin përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku shkurtimisht ka prezantuar 33-vjeçarin me mesazhin: “Mirë se vjen, Eduart Rroca”.
Rroca vjen në Gjilan pas një eksperience të gjatë në futbollin turk, ku ka mbrojtur ngjyrat e Istanbulspor, Manisa FK dhe Ankara Keçiörengücü.
Mesfushori shqiptar ka një karrierë të pasur edhe në futbollin vendas. Para aventurës në Turqi, ai ka luajtur për disa klube të njohura shqiptare, përfshirë Luftëtarin, Egnatian, Tërbunin dhe Kukësin.
Me ardhjen e Rrocës, Drita shton në organikë një lojtar me eksperiencë dhe cilësi në repartin e mesfushës, teksa synimi i kampionëve të Kosovës është të ndërtojnë një skuadër sa më konkurruese për sezonin e ri.
Tashmë, mbetet të shihet nëse Rroca do të arrijë të bëhet një prej pikave kyçe të ekipit të Ardian Nuhiut në objektivat e sezonit të ardhshëm.