Thursday, 19. February 2026
Sport

Drita humb në sekondat e fundit nga sllovenët, ndeshja e kthimit vendimtare

GS 19/02/2026 2 Min. Lesezeit

Drita ishte afër ta bënte përmbysjen e madhe përballë gjigantit slloven Celje në duelin e parë të Play-Offit për UEFA Conference League.

Kampionia e Kosovës ishte duke barazuar 2:2 në “Fadil Vokrri”, duke ia dalë të kthehet nga rezultati 0:2 në favor të sllovenëve, por në minutën e katërt shtesë, pësoi golin për 2:3.

Ndeshja e kthimit një javë më pas në Slloveni do të jetë vendimtare për fatin e gjilanasve që deri këtu kanë bërë histori, me paraqitjen në Evropë.

Nuk nisi aspak mirë për Dritën përballja në Prishtinë, me vendësit që kishin shumë pak përkrahje edhe nga tribunat.

Celje pas pjesës së parë udhëhoqi 2:0 me golat e Armandas Kucys (19’) dhe Milot Avdylit (42’), përfaqësuesit të Kosovës.

U mendua që gjithçka mori fund për gjilanasit në këtë takim, por trajneri Zekirija Ramadani bëri dy zëvendësime të duhura e të qëlluara. Në lojë u futën Blerim Krasniqi e Liridon Balaj, të cilët ndërruan ritmin dhe kthyen skuadrën në lojë.

Zëvendësuesi Blerim Krasniqi pas një ore lojë ktheu Dritën në lojë, kur shënoi me kokë pas harkimit të Liridon Balajt.

Vetë Balaj realizoi vet, duke përmbys sllovenët me një gol të bukur për rezultatin 2:2.

Sllovenët realizuan për 3:2 në shtesë, duke marrë rezultat pozitiv për duelin në shtëpi pas një jave.

Ndeshja e kthimit luhet më 26 shkurt në Celje, aty ku Drita synon ta vazhdojë ëndrrën evropiane.

Teilen: