Drita e ka mbrojtur titullin e kampionit të Kosovës, duke festuar në Gjilan pas triumfit 2-0 ndaj Ballkanit.
“Intelektualët” me këtë fitore e siguruan matematikisht titullin, në një përballje që ishte tepër dramatike nga fillimi. Blerim Krasniqi ishte heroi i Dritës, duke shënuar një gol shumë të bukur pas 24 minutave lojë.
Drita në përgjithësi rezultoi të jetë më kërkuese, megjithëse Ballkani zhvilloi disa aksione të bukura, të cilave iu mungoi konkretizimi. Fitoren e Dritës e vulosi mbrojtësi Dante, i cili shënoi nga afërsia pas harkimit të Besnik Krasniqit në minutën e 87-të.
Me 66 pikë të mbledhura, Drita siguron titullin e pestë në historinë e klubit dhe të dytin radhazi nën drejtimin e Zekirija Ramadanit.
Kështu, Drita do ta përfaqësojë Kosovën sërish në kualifikimet për Ligën e Kampionëve që nisin në verë, ndërsa Ballkanit tani i mbetet të luftojë me Malishevën për pozitën e dytë.