Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, e ka mësuar kundërshtarin e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve për edicionin 2026/27.
Drita për kundërshtar do ta ketë Kauno Zhalgirisin e Lituanisë. Drita ishte bartëse e Grupit 2 në shortin e tërhequr të martën në Nyon të Zvicrës.
Ndeshjet e para zhvillohen më 7/8 korrik, kurse ato të kthimit më 14/15 korrik.
Drita do të jetë mysafire në ndeshjen e parë.
“Një ekip që nuk e njohim, por kemi kohën e duhur për ta përcjellë kundërshtarin dhe për ta përgatitur ekipin tonë në mënyrën më të mirë. Një përparësi e shoh te kundërshtari, sepse atje luhet kampionati dhe padyshim që rivalët janë në formë më të mirë se ne. Mirëpo kur bëhet fjalë për këtë kompeticion, ndonjëherë edhe freskia është shumë e mirë”, ka thënë trajneri Zekirija Ramadani.
Edicionin e kaluar, gjilanasit kishin rrugëtim të suksesshëm në Evropë. E kaluan me sukses raundin e parë të Championsit, kurse u eliminuan në të dytin.
Drita vazhdoi në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës dhe sërish u eliminua. U bart në Ligën e Konferencës, ku kaloi plejofin, fazën e ligës dhe u ndal në plejofin e fazës nokaut.
Kundërshtari i Dritës, Zhalgirisi, merr pjesë në gara evropiane nga edicioni 2019/20, ndërsa arritja më e madhe ishte paraqitja në fazën e tretë kualifikuese të Ligës së Konferencës.
Është hera e parë që do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Në raundin e parë kualifikues të Championsit paraqitet edhe Egnatia, kampiona e Shqipërisë. Egnatia përballet me Petrocubin e Moldavisë.