Thursday, 22. January 2026
Sport

Drita mposht Ballkanin dhe hap garën për titull

GS 21/02/2024 2 Min. Lesezeit

 

Skuadra e Dritës ka triumfuar në derbin e xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës në futboll pasi e ka mposhtur Ballkanin.

Ndeshja e luajtur të mërkurën në Gjilan, ka përfunduar me rezultatin 1:0 në favor të Dritës. Golin e vetëm në këtë takim, e shënoi Juan Mesa në minutën e 63-të.

Në fakt, goli i tij u konfirmua edhe pas rishikimit të VAR-it. Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani u ndëshkua me karton të kuq në minutat e fundit të ndeshjes.

Për Dritën, kjo është fitorja e dytë rresht në stinorin pranveror, ndërsa Ballkani regjistroi humbjen e parë. Përkundër humbjes, Ballkani mbetet në krye të tabelës me 44 pikë, katër më shumë se Drita.

Të mërkurën është zhvilluar edhe ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Malishevës, të cilën e ka humbur ekipi nga kryeqyteti me rezultatin 2:0 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.

Edhe për Prishtinën, kjo është humbja e parë në stinorin pranveror derisa Malisheva regjistroi fitoren e dytë. Altin Aliu (33’) dhe Drilon Hazrollaj (88’) shënuan golat për Malishevën pas gabimeve trashanike të portierit Agron Kolaj. Me këtë fitore, Malisheva forcohet në pozitën e katërt me 35 pikë, pesë më shumë se Prishtina që mbetet e pesta.

Ndërkohë, dueli tjetër, ai ndërmjet Feronikelit ’74 dhe Gjilanit i luajtur në Drenas, përfundoi pa gola.

Teilen: