Friday, 27. February 2026
Sport

Dritën pas largimit nga Evropa e pret derbi me Prishtinën, në Superligë

GS 27/02/2026 2 Min. Lesezeit

Menjëherë pas eliminimit nga gara evropiane e Ligës së Konferencës, kampionen e Kosovës e pret një ndeshje e vështirë në kampionatin vendor.

Bardhekaltrit nga Gjilani u mposhtën edhe në ndeshjen e kthimit në Slloveni, duke i dhënë fund aventurës në garën evropiane, derisa gara në Superligë për ta mbrojtur titullin e kampionit është kompeticioni i vetëm për Dritën në pjesën e mbetur të sezonit.

Të dielën nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, Drita është mysafire e Prishtinës, në përballjen e madhe të xhiros 22.

Drita doli lidere në javën e shkuar pas triumfit në udhëtim te Llapi, me 38 pikë, dy më shumë se rivalët kryesorë për titull, Ballkani e Prishtina, që kanë nga 36.

Drita është në seri prej tri fitoreve dhe gjashtë ndeshjeve rresht pa humbje, formë kjo që e langoi ekipin gjilanas në krye të renditjes.

Kjo do të jetë hera e tretë e këtij sezoni që ndeshen dy rivalët e vjetër, derisa në dy ndeshjet e para, rezultat më të mirë kanë marrë gjilanasit.

Në ndeshjen e parë në kryeqytet, Dita megjithëse ishte duke udhëhequr 2:0, barazoi në fund 2:2. Por në duelin në Gjilan, Drita fitoi pa problem ndaj Prishtinës 2:0.

Bardhekaltrit nga kryeqyteti u mposhtën në ndeshjen e fundit, nga skuadra tjetër e Gjilani, derisa ekipi i Afrim Tovërlanit ishte në seri prej tri fitoreve rresht.

Duele mjaft interesante ka rezervuar java e 22-të, në këtë vikend, me ndeshjet që luhen të shtunën e të dielën.

Tri ndeshje do të luhen të shtunën duke nisur nga ora 13”00. Gjilani në shtëpi e pret Malishevën, Dukagjini luan ndaj Ferizajt dhe Prishtina e Re e pret Llapin, në derbin e mbijetesës.
Të dielën nga ora 13:00 zhvillohet edhe ndeshja Ballkani – Drenica.

 

Teilen: