Wednesday, 4. March 2026
Sport

Dro Fernandez po shkëlqen te PSG: Shifrat dhe lëvizja nga Barcelona, po dalin të jenë të duhura

GS 04/03/2026 2 Min. Lesezeit

Të dhënat e para konfirmojnë se Dro Fernandez ka bërë zgjedhjen e duhur duke lënë Barcelon për t’u transferuar te Paris Saint-Germain, ku po fiton gjithnjë e më shumë hapësira nën drejtimin e Luis Enrique

.

Mesfushori 18-vjeçar nga Nigrán u transferua te PSG më 27 janar 2026 për 8.2 milionë euro dhe ka nisur të justifikojë besimin e klubit francez.

Ai ka startuar dy herë si titullar në Ligue 1 dhe gradualisht po bëhet pjesë e rëndësishme e rotacionit të Luis Enriques.

“Jemi në një periudhë ku nuk kemi shumë mesfushorë. Jemi të lumtur që Dro është këtu. Ai ka cilësi të ndryshme; është lloji i lojtarit që trajnerët e pëlqejnë, veçanërisht për mënyrën si lidhet me shokët e skuadrës”, deklaroi tekniku spanjoll pas fitores 1-0 ndaj Le Havre.

Në atë ndeshje, Dro realizoi një gol, por ai u anulua nga VAR për një pozicion të lehtë jashtë loje të Achraf Hakimit në aksionin paraprak.

Adaptimi në një kampionat fizik

Luis Enrique theksoi se lojtari ka nevojë për kohë për t’u përshtatur me intensitetin e Ligue 1.

“Ai është vetëm 18 vjeç. Është normale të ketë vështirësi, sidomos në një kampionat kaq fizik si Ligue 1. Kur vjen këtu, e kupton që nuk është e lehtë. Por ai po bën gjëra interesante”, shtoi trajneri.

Që nga mbërritja në Paris, Dro ka grumbulluar 225 minuta në 6 paraqitje me PSG-në – dukshëm më shumë se sa kishte luajtur te Barcelona.

Më shumë minuta se te Barça

Para largimit nga Barça e drejtuar nga Hansi Flick, Dro kishte luajtur vetëm 90 minuta në 4 ndeshje me ekipin e parë. Mungesa e hapësirave duket se ndikoi në vendimin për të ndryshuar ambient.

Flick, i zhgënjyer për largimin e tij, deklaroi: “Ka lojtarë që janë 17 ose 18 vjeç, por ka njerëz rreth tyre që marrin vendime”.

Megjithatë, shifrat flasin qartë: Dro po merr më shumë besim dhe minuta në Paris, duke nënshkruar kontratë deri në vitin 2030 dhe duke nisur një kapitull të ri që premton shumë për të ardhmen e tij. /Telegrafi

Teilen: