Nigeria vrapon në korsi. Dhe në Atalanta-Milan ofron një sfidë brenda sfidës me sprintin si emërues të përbashkët. Ndeshja e nesërme do të shohë Ademola Lukmanin dhe Samuel Çukvuezen në fushë, bashkëlojtarë të gatshëm për të synuar Kupën e Kombeve të Afrikës në fillim të vitit të ri. Megjithatë, për disa orë ata fillimisht do të jenë kundër njëri-tjetrit.
Dhe do të duhet të kufizojnë njëri-tjetrin. Një pikë e përbashkët mes karrierës së të dyve është fëmijëria e jetuar në varfëri, e kombinuar me rëndësinë e nënave të tyre përkatëse në rrugët e tyre individuale. Të mësuar të ndajnë korsitë e Nigerisë, për Lukmanin dhe Çukvuezen mbrëmja e Bergamos do të jetë e veçantë. Të dy e bëjnë driblimin dhe shpejtësinë një pikë të fortë, të dy vijnë nga një periudhë ulje-ngritjesh dhe kërkojnë hapin e duhur për të bërë kthesën në sezonet respektive.
Samueli, i cili mbërriti te Milani në verë me etiketën e nënshkrimit më të shtrenjtë në merkato, provoi disa ditë më parë. Kundër Dortmundit, shënoi golin e parë në Itali në mënyrën e tij. U ndez në krah, duke dribluar dhe duke goditur me këmbën e majtë. Gjithçka e bukur, por e padobishme duke pasur parasysh fitoren gjermane.
RIVALË – Ademola, i cili mbërriti në Itali në verën e 2022-shit, shijoi një vit të parë rekord dhe fillimi i ri ishte pak më i ngadaltë, me 4 gola dhe 2 asistime në 19 paraqitje. Pika e nisjes për të dy është sezoni i kaluar, një term i pashmangshëm krahasimi mes numrave dhe statistikave. Çukvueze, i lindur në vitin 1999, vinte nga një vit i artë me Vijarrealin. Në 50 paraqitje për spanjollët, kishte grumbulluar 13 gola dhe 11 asistime, me një përqindje të suksesshme driblimesh prej 50.2. Një në dy praktikisht.
Numra jo të parëndësishëm, që e kishin bindur “djallin” të investonte. Nga ana tjetër, Lukmani ishte një zbulim, me 15 gola dhe 8 asistime në 33 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës së Italisë. Pas një fillimi të butë, 26-vjeçari pati bërë diferencën veçanërisht në muajt qendrorë të kampionatit, duke i dhënë pika të rënda ekipit të Gasperinit.
NIGERIA- Lidhja tjetër është sfida gjithnjë e më e ngushtë me kombëtaren nigeriane të trajnerit Zhoze Peseiro, gati për t’u nisur për Kupën e Afrikës të planifikuar midis janarit dhe shkurtit në Bregun e Fildishtë. Nigeria është një nga kombëtaret favorite për trofeun, falë individëve të rëndësishëm në departamente të shumta duke filluar që nga sulmuesi Osihmen. Të shtunën pasdite, Çuku dhe Luku të paktën për disa orë do të kenë objektiva të ndryshëm.
PANORAMASPORT.AL