Duke lënë mënjanë heqjen e 10 pikëve për çështjen e plusvalencave, për arsye jashtë fushe, një nga diagonozat që i lexoheshin lehtësisht Juventusit ishin duelet direkte dhe mundësia për të arritur te fitoret, duke grumbulluar në total vetëm një grusht pikësh.
Por sivjet gjërat kanë ndryshuar dhe shumë te kjo Juve, e cila duket jo vetëm më solide, por mbi të gjitha duket se nuk ka më frikë që të shkojë dhe të luajë hapur me ato skuadra që në letër janë edhe më pretendente se ajo për titullin kampion dhe në fund t’i tregojë derën e daljes.
Pas 9 javësh kampionat, “Zonja e Vjetër” ka gjetur përballë tri prej skuadrave, në mos pretendente për titullin kampion, janë ndër favoritet për zonës “Champions”. Dhe bilanci flet me numra fantastikë: fitore me Milanin në “San Siro”, më përpara me Lacion në “Allianz Stadium”, por edhe një barazim në Bergamo me Atalantën, që duke parë lojën e shëmtuar të Juventusit në fund vlente si një fitore. Në total 7 pikë në 3 takime, ose 2.3 pikë në duelet me rivalet direkte, e cila është edhe mesatarja që nevojitet për të shkuar te titulli kampion.
Por edhe pse numrat rrallëherë gënjejnë, në Torino trajneri Masimiliano Alegri është i pari që kërkon që fjalën “titull” të mos e përmend.
Ndërkohë që nëse vazhdojmë me shifrat ato nënvizojnë se në këtë renditje Juventusi është i pari, duke qenë se ka bërë më mirë sesa Milani (6 pikë ndaj Romës e Lacios, por është mundur nga Interi dhe Juvja) dhe Lacio gjithashtu 6 pikë (ka fituar me Napoli e Atalanta, por është mundur nga Juventusi e Milani). Shumë më mbrapa të tjerat, duke qenë se ose kanë luajtur më pak duele direkte, si në rastin e Interit që ka mundur vetëm Milanin 5-1 në derbi apo edhe Atalanta, e cila ka barazuar me Juven dhe është mundur nga Lacio…
PANORAMASPORT.AL