Erling Haland mbetet një dyshim për ndeshjen e sotme të Mançester Sitit kundër Totenhemit, pasi mungoi në dy ndeshjet e fundit.
Golashënuesi më i mirë i “Qytetarëve” humbi ndeshjet kundër Realit të Madridit dhe Liverpulit pasi goditi gjurin në fitoren 4-0 ndaj Njukasëllit më 15 shkurt. Pep Guardiola tha të martën se ishte optimist që 24-vjeçari do të jetë i disponueshëm për transfertën e sotme në Londër, por ende nuk është marrë një vendim.
“Sonte do ta dimë, pas stërvitjes”, tha Guardiola.
“Shpresoj që po, por nuk e di ende nëse do të jetë. Ai ndihet më mirë, por në dy ndeshjet e fundit nuk mundi të luante. Shihemi nesër”.
Mungesa e Halandit ka bërë që Omar Marmush të kryesojë linjën, por egjiptiani nuk ka qenë në gjendje të vijojë formën e tij përpara portës pas tregolëshit kundër Njukasëllit. Guardiola tha se ai kishte qenë shumë i kënaqur me kontributin e sulmuesit si edhe të nënshkrimeve të tjera të janarit, Abdukodir Khusanov dhe Niko Gonzalez. “Ka qenë me të vërtetë shumë mirë për kohën e shkurtër që ata janë stërvitur”, tha Guardiola.
Khusanov mbërriti dhe luajti kundër Çelsit, Orientit, Njukasëllit, Realit dhe Liverpulit, ndërsa komunikimi e ka penguar pasi ende nuk flet rrjedhshëm anglisht. “Omar gjithashtu. Niko po luan mirë, ne jemi të kënaqur. Sigurisht që Viktor (Reis), kur të ketë minuta, do të jetë gjithmonë në një nivel të mirë”. Katër blerjet në mes të sezonit, treguan se Siti ka nisur të rindërtohet, pas një sezoni me shumë dëmtime dhe rënies dramatike të formës së disa prej lojtarëve më të vjetër në skuadër. Jashtë Ligës së Kampioneve dhe me mbrojtjen e tyre të titullit efektivisht të përfunduar, ata ende përballen me një luftë për t’u renditur në 4 vendet e para. Por Guardiola mohoi se ky rindërtim është sfida më e madhe e karrierës së tij. “Jo, ne e kemi bërë këtë tashmë. Pas 9 vitesh, nuk është i njëjti ekip me të cilin filluam nëntë vjet më parë.
E kemi bërë tashmë këtë proces dy ose tre herë. Nuk është sfida më e madhe. Sfida që kam pasur është kur po nisja karrierën time menaxheriale me stafin tim. Unë e dëshmova veten dhe stafi im dëshmoi se ne mund ta bëjmë atë”. Totenhemi mbetet një ekip i vështirë për Sitin, që ka fituar vetëm dy nga tetë ndeshjet e tyre në stadiumin “Tottenham Hotspur”. Pavarësisht rezultateve këtë sezon, Pep tha se “Spërsat” janë një ekip më i mirë sesa tregojnë rezultatet e tyre. “Ata janë një ekip fantastik, me cilësi individuale. Kanë ritëm dhe vrapues të pabesueshëm në tranzicion”.
PANORAMASPORT.AL