Përpara se të punësojë trajnerin e ri, Milani do të duhet të ndërpresë kontratën e Piolit, e cila skadon më 30 qershor 2025. Do të jetë e nevojshme që fillimisht të gjendet një akord me trajnerin dhe stafin e tij të madh.
Sipas “Corriere della Sera”, bëhet fjalë për një shumë mjaft e konsiderueshme dhe nuk është detaj. Shifra shkon në rreth 10 milionë euro mes pagave dhe taksave. Heshtja mediatike e Milanit ndaj trajnerit të ardhshëm, pra, është e motivuar edhe nga kjo, si dhe nga një formë respekti ndaj Piolit, i cili ka bërë shumë mirë në gati pesë vitet e tij me kuqezinjtë. E vërteta, sipas gazetës italiane, është se klubi do ta kishte konfirmuar Piolin në stol, nëse situata nuk do të përkeqësohej në prill, me eliminimin në Liga e Europës dhe një derbi tjetër të humbur.
Një takim për të qartësuar pozicionet e palëve, sidoqoftë, do të zhvillohet përpara mbylljes së kampionatit. Ndërkohë, për trajnerin interesohen Fiorentina dhe Fenerbahçe pa harruar Napolin.
PANORAMASPORT.AL