Serxho Konseisao kërkon fitore ndaj Xhenoas për të qenë sa më i qetë dhe pastaj të mendojë për sfidën në finalen e Kupës së Italisë kundër Bolonjës. Numri një i kuqezinjve thotë se kjo skuadër e ka për detyrë që të fitojë gjithmonë dhe të mos menaxhojë forcat. Ai foli për rikthimin e Loftus Çikut, po ashtu për dyshen Teo-Leao dhe sekretin e momentit pozitiv. XHENOA- “Mendojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe punojmë gjatë javës për të përmirësuar lojën dhe disa aspekte tekniko-taktike. Duam të bëhemi një skuadër më e fortë. Tani mendojmë për Xhenoan dhe më pas për dy ndeshjet me Bolonjën”.
FORMACIONI- “Po punojmë për vazhdimësi me modulin e ri dhe për të ruajtur ekuilibrin gjatë ndeshjes. Lojtarët po e kuptojnë gjithnjë e më mirë çfarë kërkoj nga ata. Ndonjëherë ndodhin pengesa, si rasti i Joviç në Venecia. Të gjithë janë të rëndësishëm. Joviç është më mirë dhe ka bërë tri stërvitje me ne”.
RROTACION- “Nuk kam për të menaxhuar asgjë. Kemi përgjegjësinë të punojmë për një klub si Milani. Nuk mund të thuhet se nuk luajmë për asgjë. Duhet të tregojmë gjithmonë cilësi ndaj tifozëve dhe të jemi një skuadër ndryshe nga ajo që është parë shpesh në kampionat. Në një ndeshje nuk luajnë vetëm 11 lojtarë. Menaxhimet që bëjnë trajnerët e tjerë, nuk më interesojnë. Ne mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, kjo është filozofia jonë”.
TEO-LEAO- “Të gjithë i njohin cilësitë e lojtarëve të Milanit, por duhet vazhdimësi. Po flasim për dy lojtarë që e kanë treguar veten dhe që janë ndër më të mirët në botë në rolet e tyre. Ndonjëherë gjërat nuk shkojnë mirë, por rëndësi ka momenti. Janë mirë dhe në dispozicion”.
UOKER- “Mund të luajë si mbrojtës anësor ose më përpara. Është një opsion shumë i mirë. Është në formë dhe në dispozicion”.
GIMENEZ-JOVIÇ- “Të dy kanë cilësi të mëdha. Do të më takojë mua të vendos nëse do të luajë njëri apo do të luajnë të dy bashkë. Varet nga situata. Janë lojtarë të ndryshëm dhe kemi besim të madh në aftësitë e tyre. Në futboll, gjithçka mund të ndryshojë në një moment, ndaj përqendrohemi te puna dhe mendojmë ndeshje pas ndeshjeje”.
LOFTUS ÇIK– “Është një lojtar shumë i aftë. Për mua është i lindur për të qenë një mesfushor ‘box to box’, por mund të luajë edhe pak më përpara ose pak më prapa, në varësi të asaj që i kërkoj për çdo ndeshje. Është i fortë fizikisht dhe teknikisht, dhe arrin lehtë në zonën kundërshtare. Tani është mirë dhe do të mbështetem tek ai në fund të sezonit”.
MBROTJA– “Sistemi dhe moduli i lojës nuk tregojnë gjithçka. Duhet të punojmë si skuadër dhe të japim vazhdimësi. Në aspektin ofensiv, kemi treguar gjithmonë që mund të krijojmë, por ndonjëherë na ka munguar faza mbrojtëse. Po punojmë edhe me individët dhe mbi gabimet personale”.
PANORAMASPORT.AL