Wednesday, 8. April 2026
Sport

Duka merr pjesë në ceremoninë përmbyllëse të “AF Triumph Cup Events”, një festë futbolli për të rinjtë

GS 08/04/2026 2 Min. Lesezeit

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të turneut “AF Triumph Cup Events”, një aktivitet treditor i dedikuar futbollit të moshave, i zhvilluar nga data 5 deri më 7 prill në ambientet e Akademisë Triumf në Tiranë.

Ky turne mblodhi së bashku rreth 100 ekipe dhe mbi 2000 fëmijë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke krijuar një atmosferë të vërtetë feste sportive dhe bashkëpunimi mes të rinjve nga i gjithë rajoni. Aktiviteti u zhvillua për grupmoshat U-9, U-11 dhe U-13, duke ofruar një platformë të rëndësishme për zhvillimin dhe promovimin e talenteve të reja.

Në përfundim të turneut, në kategorinë U-13 u shpall fitues ekipi “2 Korriku”, ndërsa në kategorinë U-11 triumfoi Akademia Triumf. Në kategorinë U-9, vendin e parë e iguroi sërish ekipi “2 Korriku”.

Presidenti Duka ndoqi nga afër ndeshjet finale dhe mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku dorëzoi trofetë për ekipet fituese. Ai vlerësoi organizimin e këtij turneu dhe rëndësinë që aktivitete të tilla kanë për zhvillimin e futbollit të moshave, duke inkurajuar fëmijët dhe ekipet pjesëmarrëse të vijojnë me përkushtim rrugën e tyre në sport.

Ky turne përbën një tjetër shembull të angazhimit për të promovuar futbollin në nivelet bazë dhe për të krijuar mundësi për zhvillimin e brezave të rinj, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin rajonal përmes sportit.

Teilen: