Friday, 27. March 2026
Sport

Duka pas disfatës: Humbja dhemb, por kjo është skuadra më e fortë që kemi pasur ndonjëherë

GS 27/03/2026 2 Min. Lesezeit

Shpresat për të shkuar për herë të parë në histori në Botëror u shuan mbrëmë në Varshavë, në një ndeshje ku kuqezinjtë patën shanse të mëdha për të shkuar në finalen e Play-off-it, por nuk ia dolën. Pas humbjes 2-1 në Poloni ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Në një postim në profilet e tij në rrjetet sociale, kreu i futbollit shqiptar shprehet se humbja e Varshavës nuk ia zbeh krenarinë për djemtë e Kombëtares, që bënë shqiptarët të ëndërrojnë. Duka shkruan se humbja dhemb, por kjo skuadër, sipas tij, është më e forta dhe më e bukura që kemi pasur ndonjëherë.

Postimi i presidentit të FSHF-së, Armand Duka:

“Sonte nuk është një natë për të ulur kokën. Përkundrazi. Është një natë për të qëndruar drejt dhe për t’u mburrur me këtë skuadër, me këta djem që në çdo minutë të lojës tregojnë shpirt, karakter dhe atë gjë që nuk mësohet. Gjakun shqiptar.

Po, kjo humbje dhemb. Dhemb sepse na ndërpret një ëndërr që e kemi ndërtuar prej vitesh dhe që sot dukej më pranë se kurrë. Por ajo që këta djem treguan në fushë është më shumë se një rezultat. Është një premtim. Është prova se kjo është, pa asnjë dyshim, skuadra më e fortë dhe më e bukur që kemi pasur ndonjëherë.

Faleminderit që na bëtë të besojmë. Faleminderit që na bëtë të ëndërrojmë. Sot, çuna, nuk ka humbje që e zbeh krenarinë që ndjej për ju”.

Teilen: