Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, priti sot në një takim “Shtëpinë e Futbollit” Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Abbott, në kuadër të ndeshjes Shqipëri–Angli që do të zhvillohet më 16 nëntor në “Air Albania”.
Gjatë takimit u diskutua mbi të gjitha aspektet organizative të kësaj sfide të rëndësishme, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026.
Presidenti Duka dhe Ambasadori Abbott ndanë bindjen se bashkëpunimi i ngushtë mes FSHF-së dhe institucioneve përkatëse do të sigurojë standardet më të larta të sigurisë dhe organizimit, duke synuar zhvillimin e një ndeshjeje në nivelin më të mirë.
“Ishte kënaqësi e veçantë të takoja Ambasadorin e Britanisë së Madhe, z. Nicholas Abbott, me të cilin diskutova për organizimin e shumëpritur të ndeshjes Shqipëri– Angli më 16 nëntor në ‘Air Albania’. I premtova z. Abbott se FSHF do të garantojë një organizim dinjitoz, për një ndeshje sa më të bukur e të sigurt për të gjithë tifozët”, – shkroi Duka në një status të postuar në profilet e tij në rrjetet sociale.