Thursday, 21. May 2026
Futboll

Dukagjini fiton Kupën e Kosovës pas një finaleje dramatike ndaj Ferizajt

GS 21/05/2026 3 Min. Lesezeit

Dukagjini është fitues i Kupës së Kosovës, pasi në finalen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e mposhti Ferizajn me rezultat 2-1, në një ndeshje të mbushur me emocione, tensione, vendime nga VAR-i dhe një gol spektakolar që vendosi trofeun.

Dy skuadrat e nisën takimin me kujdes, por loja u hap pas minutës së 15-të. Dukagjini kaloi në epërsi në minutën e 17-të, kur Altin Mërlaku realizoi një supergol për rezultatin 1-0.

Ferizaj reagoi shpejt dhe arriti ta barazojë rezultatin në minutën e 23-të me golin e Kushtrim Shabanit, duke e kthyer finalen në një duel të hapur dhe shumë luftarak.

Në pjesën e parë nuk munguan polemikat. Në minutën e 37-të, Ferizaj kërkoi penallti pas një ndërhyrjeje në zonë, por pas rishikimit në VAR, gjyqtari Genc Nuza vendosi se nuk kishte shkelje për penallti.

Ferizaj pati edhe një rast të mirë në fundin e pjesës së parë, kur Haxhimusa gjuajti me kokë pranë shtyllës në minutën 45+5’, ndërsa gjyqtari akordoi tetë minuta shtesë.

Edhe pjesa e dytë solli tension dhe vendime të rëndësishme. Në minutën e 63-të, Nuza fillimisht akordoi penallti për Dukagjinin, por pas konsultimit me VAR-in u konstatua se ndërhyrja kishte ndodhur jashtë zonës dhe vendimi u ndryshua.

Situata u vështirësua për Dukagjinin në minutën e 70-të, kur Erlis Xhemajli u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua, duke e lënë ekipin me dhjetë lojtarë.

Megjithatë, momenti vendimtar i finales erdhi në minutën e 75-të. Hekuran Berisha realizoi një gol të jashtëzakonshëm nga rreth 50 metra, duke e paraboluar portierin McKenzie dhe duke kaluar Dukagjinin në avantazh 2-1.

Deri në fund, Ferizaj tentoi ta shfrytëzonte epërsinë numerike, por Dukagjini u mbrojt me disiplinë dhe arriti ta ruajë rezultatin.

Në kohën shtesë, tensionet kulmuan kur kapiteni i Ferizajt, Haxhimusa, u ndëshkua me karton të kuq. I irrituar nga vetëm katër minutat shtesë, një rast i diskutueshëm në zonë dhe përjashtimi i kapitenit, Ferizaj e braktisi fushën disa minuta para fundit të takimit.

Pas rreth dhjetë minutash ndërprerje, skuadra ferizajase u rikthye në fushë dhe ndeshja vazhdoi deri në fund.

Në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri” ishin të pranishëm edhe përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, si dhe presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu.

Me këtë triumf, Dukagjini e mbyll sezonin me suksesin më të madh në historinë e klubit në Kupën e Kosovës, ndërsa Ferizaj, pavarësisht rrugëtimit të shkëlqyer deri në finale, mbetet pa trofe dhe e përfundon sezonin me zhgënjim, pas rënies nga elita e futbollit kosovar.

Teilen: