Havier Zaneti, në 360 gradë. Kapiteni legjendar i Interit rrëfen karrierën e tij, momentet e bukura dhe të vështira.
Tregon refuzimin ndaj Realit, raportet me Maldinin e Del Pieron, vështirësitë me Ibrahimoviçin dhe Balotelin. Zbulon gjithashtu se si ndihmoi Interin për të transferuar Lautaron.
RESPEKT- “Diçka që më bën të ndihem mirë është respekti i të gjithëve kundrejt meje, jo vetëm të tifozëve të Interit. Kjo do të thotë se kam bërë një karrierë në një lloj mënyre dhe kam kërkuar që të inspiroj më të rinjtë”.
MBËRRITJA- “Tani ndihem italian sepse kam 28 vite që jetoj këtu. Sigurisht që Argjentina është toka ime dhe pikërisht aty kam nisur ëndrrat e mia për t’u bërë lojtar. Transferimi në Itali ishte një mundësi e madhe për mua. Nuk e fsheh që ishte një ambicie dhe një ëndërr. Kur hodha hapat e parë si lojtar në Argjentinë shihja ndeshjet e Maradonës që luante me Napolin dhe aty thashë me vete që duhet të shkoj në Serinë A. Të përballesha me kampionët e mëdhenj ishte një mundësi e mirë”.
KARRIERA- “Karriera ime ishte shumë e shpejtë. Nisi në Argjentinë dhe pas 2 vitesh m’u dha mundësia për t’u transferuar tek Interi. Në atë moment as nuk mund ta besoja. Isha vetëm 20 vjeç. Na atë kohë mund të luanin në një skuadër vetëm 3 të huaj. Interi kishte blerë Pol Ins, Roberto Karlosin dhe Rambertin. Unë isha i katërti i huaj dhe i panjohur. E kujtoj prezantimin në tarracën “Martini” dhe isha me atletet e mia në dorë. Të gjithë gazetarët më shihnin dhe nuk e dinin kush isha”.
ITALIA- “Kur erdha në Itali kam gjetur vendin perfekt. U dashurova menjëherë dhe nisa rritjen time si njeri dhe lojtar. Karriera ime tek Interi ishte e jashtëzakonshme. Me tifozët kam pasur një raport të shkëlqyer sepse më shihnin si një fëmijë që hidhte hapat e parë. Donim të më mbronin. Interi për mua u shndërrua në një familje. Këtë e perceptova menjëherë”.
ZËVENDËSPRESIDENT- “Kur vendosa që të lija futbollin doja të bëja diçka të lidhur me futbollin për të vazhduar raportin me Interin. Kur më thanë që do të isha zëv endëspresident i Interit u emocionova shumë, por kisha edhe përgjegjësi të madhe. Është një nga skuadrat më të mëdha në botë dhe kërkon patjetër përgatitje. U mendova pak, por duke njohur veten e pranova. Karriera ime si lojtar zgjati deri në moshën 41-vjeçare dhe pas shumë kilometrave vendosa që të ndërmerrja këtë aventurë në menaxhim. Unë përgatitem gjithmonë sepse nuk dua që të merrem vetëm me aspektin sportiv, por të kem një vizion 360 gradë”.
LAMTUMIRA- “Nuk është e lehtë të marrësh vendimin për t’u larguar nga futbolli. Përpara sesa të largohesh duhet ta mendosh pak më përpara. Unë këputa tendinën e Akilit në moshën 39-vjeçare dhe s’doja ta lija futbollin në atë mënyrë. Të gjithë mendonin se erdhi fundi sepse ishte një dëmtim i rëndë. Unë vendosa që të rikthehesha në fushë sepse doja të largohesha përpara tifozëve të mi si protagonist.
Kur u riktheva në fushë duheshin edhe 15 minuta nga fundi i sfidës me Livornon u riktheva dhe fituam. U ndjeva mirë që festova me tifozët dhe duke bërë dush mendova që ishte sezoni im i fundit si lojtar. Kisha kaluar një tjetër vështirësi të madhe. Për t’u larguar nga futbolli duhet të kesh inteligjencën në momentin e duhur. Sigurisht që është e vështirë kur për 25 vite bën këtë gjë çdo ditë”.
LIBRI- “Ideja më lindi pas fërshëllimës së fundit të arbitrit në finalen e Botërorit në Katar. Kam parë aty shumë pasion nga populli i Argjentinës dhe në Itali është e njëjta gjë.
Doja ta tregoja këtë moment. Unë kujtoja Botërorët për të cilët më kishin folur prindërit kur isha i vogël, ata që kam luajtur si protagonist dhe tani si tifoz. Isha me fat që kur Argjentina fitoi Botërorin festova me familjen në fushën e lojës. Përqafova Lionel Mesin, me të cilin kam një raport të shkëlqyer. Deri në minutën e 70- të Argjentina po e dominonte ndeshjen, pastaj gjithçka ndodhi për 5 minuta. Shtesa dhe penalltitë ishin emocionuese”.
M E S I – M AR A D O N A- “Unë kam bërë sherr me shumë gazetarë argjentinas që kritikonin Lionel Mesin vetëm sepse aty analizohet futbollisti vetëm për fitoret. Mesi ka një karrierë të jashtëzakonshme. Edhe nëse nuk do të fitonte asgjë në karrierë, për mua do të ishte njëlloj fenomen. E ka nisur me kombëtaren e Argjentinës kur ishte shumë i ri.
Ka humbur edhe finale të rëndësishme dhe mori kritika të shumta. Gjithçka ndryshoi kur Argjentina fitoi Kupën e Amerikës. Mesi si kapiten ishte emblema dhe lideri. Pastaj Argjentina fitoi Finalissiman me Italinë dhe pastaj Botërorin. Maradona? Ne e jetonim në mënyrë të çmendur epokën e tij. U rritëm me të. Pastaj erdhi Mesi që ishte fenomen. Për mua janë të dy të jashtëzakonshëm dhe me karakteristika të ndryshme. Shumë e vështirë të zgjedhësh mes tyre”.
FËMIJËRIA- “Dhurata e parë që kam marrë ishte një top futbolli. Isha vetëm 3 vjeç. Duke luajtur me shokët në fushat afër shtëpisë kisha shumë pasion. Babai im ishte murator dhe një ditë vendosi që të na ndërtonte një fushë betoni në lagje që të luanim të gjithë”.
TIFOZ- “Unë jam tifoz me Indipentienten. Shkoja për t’i parë ndeshjet e tyre dhe kthehesha të luaja në fushën e lagjes duke komentuar rastet si ndeshja. Pasioni për futbollin ishte shumë i madh. Edhe në Itali gjeta të njëjtën gjë dhe me performancat e mia kam bërë të lumtur shumë tifozë të Interit. Më pëlqen gjithmonë që të analizoj rrugëtimin që kam pasur”.
KAMBIASO- “Ishte një lojtar i mirë në basketboll. Pas stërvitjeve me Interin shkonte gjithmonë në këndin e basketbollit dhe luante. Edhe Palasio ishte shumë i mirë. Luante shpesh edhe ai. Ka lindur në Bahia Blanka, ku ka lindur edhe Lautaro dhe vëllai i Palasios është basketbollist. Shohim disa ndeshje këtu në Itali të Varezes”.
NDESHJET MË TË BUKURA- “Një nga ndeshjet më të bukura që kam parë ka qenë në Botërorin e vitit 1986 mes Brazilit dhe Francës. Përfundoi 1-1 dhe Franca fitoi me penallti. Pastaj kujtoj edhe Argjentinën me Anglinë kur Maradona shënoi atë supergol, po ashtu edhe kur Italia fitoi me Brazilin në Botërorin e Spanjës. Por emocione të forta na ka dhuruar edhe Italia. Fëmijët e mi kanë qarë kur në ‘San Siro’ nuk u kualifikua për në Botëror. Kam respekt të madh për Italinë”.
VENDIMET- “Kur erdha në Itali ishte një mundësi e artë për mua. Në atë moment futbolli italian ishte në maja dhe kishte shumë kampionë. Unë kujtoj derbin tim të parë kundër Maldinit, Barezit, Tasotit e Donadonit. ‘San Siro’ ishte impresionues. Unë i shihja dhe mendoja: ‘Derbi im i parë me këta monstra. Duhet të punoj për t’u përmirësuar’”.
NDESHJET SPECIALE- “Sigurisht që kujtoj ndeshjen time të parë në ‘San Siro’ sepse po bëja realitet një ëndërr. Luanim kundër Viçencës ditën e diel. Të dielën mora makinën dhe shëtisja prindërit e mi rreth stadiumit për t’ju treguar se aty do të luaja të dielën. Në 3 vitet e para erdhën për të më shoqëruar mua.
Nuk kishin hipur kurrë në avion, por ishte një vendim për të qenë afër meje në këtë rrugëtim. Unë historinë time me Interin e ndaj në 2 etapa. Një 10 vitet e para ku fituam Kupën UEFA me Ronaldon dhe pastaj 10 vitet e tjera ku fituam gjithçka. Në momentet e vështira flisja shpesh me Moratin. Ai bënte investime duke afruar kampionë të mëdhenj, por rezultatet mungonin. Por pastaj koha na dha të drejtë dhe na shpërbleu”.
SI KAPITEN- “Mbaj mend që e kam marrë në një ndeshje të Kupës së Italisë. Kapitenë përpara meje ishin Bergomi dhe Paljuka. Të dy mungonin dhe u bëra unë. Pastaj nga viti 1999 e kam mbajtur gjithmonë. Ishte një emocion i madh. Si kapiten ke më shumë përgjegjësi, por varet nga personaliteti i secilit. Unë isha kapiteni dhe më pëlqente të isha shembull. Pak fjalë dhe shumë vepra. Të gjithë shokët e skuadrës e dinin që unë bëja gjëra për të mirën e skuadrës dhe jo për të mirat personale”.
SHOKËT- “Të gjithë më kanë respektuar për këtë fakt. Unë isha një lojtar që diskutoja me të gjithë. Unë kam qenë kapiteni i Ibrahimoviçit, Etosë, Baxhos, Simeones. Lojtarë me shumë personalitet. Secili mund të ishte kapiten. Të gjithë më kanë respektuar dhe kjo më ka ndihmuar”.
TË VËSHTIRË- “Ibra për shembull ishte një karakter i fortë, por kur flisje me të bije dakort menjëherë sepse ai kishte personalitetin e tij. Baloteli ishte një talent unik, por ndonjëherë kishim edhe probleme me të. Por unë them gjithmonë se kur flitet me njëri-tjetrin e gjen zgjidhjen. Nëse në ekip ka një problem duhet ta zgjidhësh. Me kalimin e kohës ai problem bëhet më i madh”.
FENOMENI- “Ronaldo ishte i tillë. Kur erdhi tek Interi nga Barcelona ishte në momentin më të mirë të karrierës. Ishte i papërmbajtshëm Kishte forcë, driblime dhe ishte i akullt përballë portierit. Sa herë që nisej ose do t’i bëje faull ose do të kalonte. Ishte një djalë i jashtëzakonshëm dhe argëtues, pozitiv për grupin”.
LAUTARO- “Kur ne e morën ai ishte thuajse i Atletikos. Unë njihja një nga menaxherët e tij dhe më telefoni: Shiko, ne po shkojmë në Madrid për të firmosur. Unë ia tregova këtë histori Auzilios dhe u mërzit shumë sepse po e vëzhgonte prej kohësh. Për 2 javë, menaxheri më telefonon sërish duke më thënë që kishte disa probleme me Atletikon dhe mund të futej në bisedime me Interin. U nisëm për në Argjentinë dhe për 2 ditë e mbyllëm”.
REALI- “Unë jam nga ata që mendoj se futbolli aktual duhet të gjejë vlerat e kohëve të mëparshme. Mua më ka ndodhur të kisha oferta të ndryshme dhe të rëndësishme nga klube të mëdha në Europë. Interi ka qenë gjithmonë prioriteti im. Është e vërtetë që kam qenë shumë afër Realit të Madridit, por në atë moment Interi ishte në vështirësi dhe unë doja të isha pjesë e kësaj skuadre për ta ndihmuar. Nuk mund ta braktisja”.
RIVALËT- “Derbi është ndeshja që së bashku me Juventusin ka shumë emocione për historinë dhe rivalitetin. Këto ndeshje të krijonin diçka speciale, por unë kam pasur gjithmonë respekt. Të përballesha me Paolo Maldinin, përtej rivalitetit, ishte diçka e bukur sepse përballesha me një kampion të madh brenda dhe jashtë fushës së lojës. Edhe tani kur e takojmë njëri-tjetrin përqafohemi, ashtu si me Del Pieron, Totin dhe Bufonin. Ky është futbolli. Edhe pse disa njerëz ke kohë pa i takuar, i përqafon. Sigurisht që në fushën e lojës secili mbron fanellën e tij, por respekti është mbi të gjitha”.
TRIPLETA- “Ai moment do të mbetet mend gjatë dhe përjetësisht në mendjen time. Është një nga faqet më të bukura të historisë sepse Interi është skuadra e vetme që e ka bërë. Kujtoj tifozët në Madrid që kërkonin patjetër ta bënim ëndrrën realitet”.
MURINJO- “Raporti mes nesh ishte shumë i bukur. Kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer si lojtar, por edhe tani. Ai arriti të krijonte një familje përpara sesa një skuadër. Ishte një Champions i komplikuar sepse në ndeshjen e fundit të grupeve thuajse ishim jashtë. Në atë ndeshje e kuptuam forcën.
Murinjo në dhomat e zhveshjes tha se do të largonte 2 mbrojtës për 2 sulmues. E fituam në frymën e fundit. Pastaj të gjithë kujtojnë ndeshjen 3-1 kundër Barcelonës dhe atë të kthimit ku vuajtëm shumë me 10 lojtarë. Kam luajtur 858 ndeshje me Interin, shumë kilometra”.
FLOKËT- “Mendoj se kam lindur kështu. Shumë njerëz më kërkojnë cili është sekreti i flokëve që nuk i kam ndryshuar kurrë, por unë thjesht zgjohem nga gjumi dhe i kam kështu”.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL