Interi do të sfidojë mbrëmjen e së dielës Juventusin, në ndeshjen e madhe të javës së 13-të të Serisë A. Sfida paraqitet më e nxehtë se asnjëherë në “Allianz” duke pasur parasysh renditjen, ku vetëm dy pikë e ndajnë Interin e vendit të parë nga Juvja e vendit të dytë.
Por ndërsa pauza e kombëtareve na lejoi ta shikonim renditjen në këtë formë për dy javë, tashmë shumë gjëra mund të ndryshojnë në krye. Skuadra e Simone Inzagit e di mirë se duhet të mbrojë vendin e parë dhe nuk do të jetë aspak e lehtë ta bëjë këtë, veçanërisht në Torino, ku shifrat nuk janë në anën e klubit milanez.
TABUJA – Interi do të duhet të rrëzojë një tabu në “Allianz Stadium”, të dielën në mbrëmje. Që kur Juventusi ka luajtur në shtëpinë e tyre të re, pra që nga viti 2011, Interi ka fituar vetëm 2 ndeshje në Torino, ka barazuar 4 dhe ka humbur 9. Suksesi i parë i zikaltërve përkoi me humbjen e parë të Juventusit në “Allianz”, 1-3 në nëntor 2012. Ndeshja u vendos me atë rast nga një dopietë e Militos dhe një gol i Palasios, që zhvlerësuan rrjetën e Vidalit në minutën e parë. Megjithatë, për të gjetur fitoren e dytë në transfertën bardhezi, milanezët u desh të prisnin plot një dekadë.
E radhës dhe e fundit në Torino daton në prill të vitit 2022, kur derbi italian u vendos nga një penallti e shndërruar në gol nga Çalhanoglu. Në sezonin që lamë pas, “zonja” arriti t’i fitojë të dyja ndeshjet e kampionatit, si atë të fazës së parë në shtëpi me rezultatin 2-0 dhe atë të kthimit në “San Siro” me rezultatin 0-1.
Nga një sezon në të cilin Interi ia doli ta mund Juven vetëm në ndeshjen e dytë në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë (1-0, kurse e para përfundoi 1- 1), tashmë kryesuesit do të tentojnë të rikthehen jo vetëm te fitorja në kampionat ndaj tyre për të ruajtur vendin e parë, por edhe te një tjetër fitore në “Allianz”, që do të ishte e treta në 16 ndeshje në atë stadium.
PANORAMASPORT.AL