Në fundjavë u zhvillua java e 33-të e Bundesligës së Gjermanisë, dhe në formacionin më të mirë të kësaj xhiroje nuk kanë munguar futbollistët shqiptarë.
Sipas vlerësimeve të SofaScore, në “Ekipin e javës” u përzgjedhën Albian Hajdari dhe Arijon Ibrahimovic, të cilët spikaten me paraqitjet e tyre dhe u konsideruan ndër më meritorët për fitoret e skuadrave përkatëse.
Albian Hajdari ishte një nga pikat më të forta të Hoffenheim në fitoren minimale 1-0 ndaj Werder Bremen. Mbrojtësi shqiptar u vlerësua me notën 8.7, falë paraqitjes së sigurt në prapavijë, dueleve të fituara dhe rolit kyç në ruajtjen e portës së paprekur në një ndeshje vendimtare në fundin e sezonit.
Ndërkohë, Arijon Ibrahimovic spikati në fitoren e Heidenheim me rezultat 3-1. Ai u vlerësua me notën 8.5, duke qenë një nga lojtarët më të rrezikshëm në fazën ofensivë dhe duke ndihmuar skuadrën e tij të sigurojë tri pikë të rëndësishme.
Përveç dyshes shqiptare, në formacionin më të mirë të javës 33 janë përfshirë edhe emra të njohur të Bundesligës, si Michael Olise (8.7), Joshua Kimmich (8.3), Willi Orbán (8.9) dhe Conrad Trimmel (8.8), të cilët gjithashtu patën paraqitje të nivelit të lartë.
Paraqitjet e Hajdarit dhe Ibrahimovic janë një tjetër tregues i rritjes së futbollistëve shqiptarë në kampionatet më të forta të Evropës, veçanërisht në një fazë të sezonit ku çdo pikë dhe çdo performancë ka rëndësi të madhe.