Sot, stadiumi “Emirates” do të ndriçohet për të pritur sfidën e Champions League mes Arsenal dhe Lille. Megjithatë, trajneri i “topçinjve”, Mikel Arteta, do të duhet të përballet me disa mungesa, siç bëri të ditur në konferencën për shtyp.
Mesfushori Martin Zubimendi dhe mbrojtësi Piero Hincapie munguan në seancën stërvitore, pasi pësuan dëmtime gjatë seancës së rikuperimit pas ndeshjes të së shtunës kundër Leeds.
Futbollisti 24-vjeçar nga Ekuadori u desh të largohej me ndihmën e stafit mjekësor për shkak të një problemi në kyçin e këmbës. Edhe lojtari spanjoll pësoi një problem në kyçin e këmbës gjatë seancës së rikuperimit.
“Në dy incidente shumë fatkeqe, kemi humbur dy lojtarë. Nuk janë lajme të mira. Duhet t’i vlerësojmë ata. Sot do t’u nënshtrohen analizave të mëtejshme mjekësore për të kuptuar gjendjen e tyre reale dhe për të përcaktuar kohën e rikuperimit”, tha Arteta.
Ndërkohë, William Saliba është rikthyer në fushë për stërvitje individuale prej më shumë se një jave, duke intensifikuar rikuperimin nga një dëmtim në shpinë. Gjithsesi, ai ende nuk është i disponueshëm për t’u grumbulluar në skuadër.