Nëse do të ndodhte përmbysja, mund të ishte dita më e lumtur e jetës së tij, por Kenan Jildiz nuk është aspak i mërzitur pas derbit të Italisë, sidomos pas dygolëshit të realizuar që i dha barazimin “Zonjës së Vjetër” dhe gjithashtu e futi atë në historinë e ndeshjeve mes Interit dhe Juventusit si autorin me moshën më të re që shënon dy gola. Talenti turk u kthye në hero për bardhezinjtë me dy golat e tij, ndërsa pas sfidës u shfaq për mediat duke dhënë përshtypjet.“Dua t’i falënderoj të gjithë, nuk ka qenë e lehtë të arrinim këtë rezultat. Jam shumë i lumtur pas dy golave të realizuar dhe dua të falënderoj të gjithë skuadrën dhe trajnerin sigurisht. Ne reaguam të gjithë si skuadër. Në futboll gjithçka mund të ndryshojë nga momenti në moment, në fund shkoi mirë”, u shpreh fillimisht talenti turk që më pas komenton edhe festimin e tij “alla” Del Piero.
“E bëra atë festim në golin e dytë. Në golin e parë vendosa të mos festoja ashtu për të qëndruar me këmbët në tokë. A shënoj gjithmonë gola të bukur? Po dhe shpresoj që të vazhdoj kështu”.
Në fund, Kenan Jildiz ngre peshë edhe zemrat e tifozëve duke i dhënë më shumë besim në luftën për titullin kampion.
“A besoj se mund të shpallemi kampion? Sigurisht që po, e kam besuar gjithmonë këtë gjë. Megjithatë duhet thënë se sezoni është i gjatë”, tha ndër të tjera Kenan Jildiz.
REKORDI- Dy gola brenda 11-minutave në derbin e Italisë për Jildiz që shpëton Juventusin nga humbja ndaj rivalëve të përjetshëm. Talenti mposhti dy herë gardianin zikaltër, ku përveç barazimit, u fut edhe vetë në histori. Jildiz bëhet kështu lojtari më i ri i Derbit të Italisë që shënon më shumë se një gol në një sfidë mes Interit dhe Juventusit. Turku arriti ta bënte këtë gjë në moshën 19 vjeç e 176 ditë, diçka që askush më parë nuk e kishte realizuar.
PANORMASPORT.AL