Jasir Asani u rikthye titullar te skuadra e tij Gwangju pas më shumë se tre muajsh. Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë kishte luajtur vetëm 9 minuta gjatë vitit 2024 në ekipin e tij, ndërkohë që në përballjen e Kupës së Koresë kundër Seongnam luajti për 75 minuta.
Anësori i djathtë, tregoi një formë mjaft të mirë, teksa aktivizohej pas tre ndeshjeve me Shqipërinë në Kampionatin Europian. Ndonëse duket se Asani i ka sheshuar problemet me klubin, futbollisti i Kombëtares është në kërkim të një aventure të re.
Las Palmas e ka ndjekur prej kohësh, por së fundmi SuperSport mëson se alternativë për Asanin mund të jetë edhe Arabia Sadite, ku dy klube kanë shfaqur interes për të, ndërkohë që interesim ka dhe nga Dubai.
Gjatë kësaj jave pritet të marrë fund telenovela për të ardhmen e Asanit, i cili kërkon të mos vijojë më në Kore, ku ka kontratë deri në fundin e këtij viti.
Një nga arsyet është dhe fakti që të mos ketë një distancë aq të madhe për të udhëtuar kur të grumbullohet me Kombëtaren.
Asani numëron 17 ndeshje me fanellën e Shqipërisë, duke shënuar 4 gola e duke dhënë 5 asist. 29-vjeçari u grumbullua për herë të parë nga Sylvinho marsin e vitit të shkuar, por menjëherë u kthye në protagonist te skuadra kuqezi, duke dhënë një kontribut të madh në kualifikimin e Shqipërisë në Euro2024.