Markus Rashford nuk do të marrë një vendim për të ardhmen e tij përpara mesit të muajit qershor. Sulmuesi i Mançester Junajtid është aktualisht i huazuar tek Aston Vila dhe duket e pamundur që ai të kthehet në “Old Trafford” për sa kohë që Ruben Amorim është ende trajner.
Rashford ka kontratë me Junajtidin deri në vitin 2028 dhe klubi duhet të vendosë nëse do ta mbajë, ta shesë apo ta huazojë sërish. Megjithatë, edhe Rashford do të ketë fjalën e tij në këtë vendim dhe kuptohet se përfaqësuesit e tij nuk do të ulen për të diskutuar për të ardhmen përpara mesit të qershorit. 27- vjeçari nuk dëshiron të transferohet në Londër dhe është i interesuar t’i bashkohet një klubi që luan në Ligën e Kampioneve.
Shpresat e Aston Vilës për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve morën një goditje kur humbën 2-1 ndaj Mançester Sitit, me një gol në minutën e 94-të, pasi Rashford barazoi me penallti. Kampi i Rashfordit ka përjashtuar edhe mundësinë e një shkëmbimi lojtarësh me emra, si: Oli Uotkins (Aston Vila) dhe Ebereçi Eze (Kristal Palas), për shkak të kompleksitetit të marrëveshjeve të tilla.
Sulmuesi është rikthyer në kombëtaren e Anglisë falë formës së përmirësuar që ka treguar që nga largimi nga “Old Trafford”, duke kontribuar me katër gola dhe gjashtë asiste në 17 paraqitje për skuadrën e Unai Emerisë. Thuhet se ai është i lumtur tek Aston Vila, ku ka marrëdhënie të mira me lojtarët dhe stafin teknik. Por “Sky Sports” raporton se as Aston Vila nuk e ka vendosur nëse do ta aktivizojë opsionin e blerjes së tij prej 40 milionë paundësh.
PANORAMASPORT.AL