Kevin de Bryjn ka marrë një ofertë befasuese për të qëndruar në Premier Ligë nga Liverpuli, sipas informacioneve që vijnë nga Italia.
Mesfushori belg është në fund të kontratës me Mançester Sitin pas përfundimit të këtij sezoni dhe ka njoftuar largimin e tij nga “Etihad” pak javë më parë. 33-vjeçari thuhet se dëshiron të vazhdojë karrierën në Europë, në vend që të zhvendoset në SHBA apo Arabinë Saudite.
Një numër klubesh të mëdha janë të interesuara ta kenë “mbretin e asisteve” në radhët e tyre. Sipas gazetarit italian Xhanluka di Marcio, një prej admirueseve kryesore të De Bryjnes është Napoli, kryesuesit e Serisë A. Një raport nga portali belg në gjuhën holandeze HLN ka treguar se gruaja e De Bryjne, Michel Lacroix, është parë në Napoli, ku besohet se ka qenë duke kërkuar shtëpi.
Në fakt, çifti De Bryjne ka një lidhje me zonën, pasi janë martuar në Sorrento, një qytet gadishullor pak më tej në bregdetin e Gjirit të Napolit. Për më tepër, miku i ngushtë i tij, Romelu Lukaku, është aktualisht në Napoli, ndërsa ata ndjekin një titull të dytë në Serie A në tre vjet.
Të dy kanë shkëlqyer për ekipin kombëtar belg për shumë vite dhe kanë jetuar shkurtimisht së bashku te Çelsi, dhe janë pjesë e së njëjtës agjenci, Roc Nation Sports të Jay-Z.
Napoli thuhet se shpreson që miqësia e belgut me Lukakun mund të ndihmojë në bindjen e mesfushorit për t’u bashkuar me klubin.
Megjithatë, atij gjithashtu i është ofruar mundësia të qëndrojë në Angli pas një oferte që ka marrë nga kampionët e Liverpulit. Vitet më të mira të De Bryjne me Mançester Sitin ishin një luftë për titull me Liverpulin. Skuadra e Pep Guardiolës arriti të dalë më shpesh përpara “Reds”-ave, me De Bryjnen që ka fituar gjashtë tituj kampion, ndërsa Liverpuli ka fituar vetëm dy. Nëse do të pranonte ofertën nga Mersejsajd, ai do të vishte fanellën e kuqe në “Anfield”, duke forcuar opsionet në mesfushë për trajnerin holandez, Arne Slot.
Liverpuli pritet të shpenzojë shumë këtë verë për të vazhduar të jenë konkurrues edhe sezonin e ardhshëm dhe raportohet se janë gati të mbështesin trajnerin me buxhetin më të madh në historinë e klubit. Po ashtu, De Bryjne thuhet se është diskutuar edhe në bisedimet e brendshme të merkatos nga drejtuesit e Aston Vilës. Që kur iu bashkua Mançester Sitit në vitin 2015, ai ka bërë 418 paraqitje me fanellën e “Qytetarëve”, ka shënuar 108 gola dhe ka dhënë 177 asiste.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL