Skiatorja shqiptare Lara Colturi realizoi fundjavën e kaluar një rezultat historik si për sportin shqiptar ashtu dhe për karrierën e saj.
Ajo u klasifikua në vendin e dytë në sllallomin e zhvilluar në pistën e Gurgl, i vlefshëm për Kupën e Botës në ski.
Ky është podium i parë për skiatoren 18-vjeçare, lindur në Itali por me pasaportë shqiptare, në sezonin e saj të tretë në Kupën e Botës.
Ajo u rendit pas një legjende si Mikaela Shiffrin, që korri suksesin e 99-të në karrierë.
Në një intervistë për Federatën Botërore të Skive, ajo tha: “Jam vërtet shumë e lumtur. Ndihesha shumë mirë në stërvitje ditët e fundit, kam qenë duke u stërvitur me Henrik Kristoffersen (kampion i dyfishtë i botës) dhe disa djem të tjerë”, tha Colturi.
“Madje më erdhi të qaja pas garës, është thjesht e mrekullueshme. Më duhet të them se ishte një ditë shumë emocionuese. Qëllimi im ishte thjesht të përpiqesha të shprehesha sa më mirë, të ndihesha po aq mirë sa ndihesha në stërvitje”, u shpreh Colturi për mediat.
Më tej, ajo shtoi: “Pashë mamin dhe babin të emocionuar, në Gurgl ishin të pranishëm edhe gjyshërit e mi, ishte Yuri (vëllai i vogël) që ishte ndoshta më i emocionuari nga të gjithë. Ndihesha mirë dhe doja ta përcillja këtë në garë dhe ia arritëm.
Dua të falënderoj njerëzit që janë pranë meje, të gjithë ata që punuan përkrah meje duke besuar tek unë. Nuk e mendoja se mund të ngjitesha në podium ose të paktën në atë pozicion. Isha e fokusuar vetëm në idenë për të skijuar mirë dhe për t’u argëtuar sa më shumë që të ishte e mundur”, përfundoi Lara Colturi.