Husein Bolt. Jo, nuk është një tjetër nga nofkat e Ruben Loftus-Çikut – nënshkrimi i ri për mesfushën e Milanit pas Tonalit – në Angli. Pa i hequr asgjë shpejtësisë së tij, e cila është e shkëlqyer pavarësisht përmasave mbresëlënëse (është 1.91 metra i gjatë dhe peshon 88 kg). Bolt do të thotë “rrufe”. Loftus-Çik di diçka më shumë për këtë fenomen natyror, me të cilin është përballur tri herë në rrjedhën e karrierës së tij.
E para, në moshën 9-vjeçare, kur luajti për ekipin e paratërinjve të Çelsit. Me atë rast anglezi arriti t’i shmangej një për një fije floku: ai po shikonte stuhinë nga dritarja e dhomës së gjumit të shtëpisë ku u rrit në Kent. Dy të tjerët në 2017 – kur ai ishte i huazuar te Kristal Palasi – brenda disa ditësh. Goditjen e parë kur ishte në stërvitje dhe e dyta, më e madhe e pësoi vila 2 milionë euroshe ku jetonte, e cila përfundoi thuajse e shkatërruar. Aty Rubeni jetonte me nënën e tij në zonën e Kobhemit, në Sërrei. U desh ndërhyrja e zjarrfikëseve për të ndalur flakët. Me t’i shpëtuar rrezikut, tani mesfushori jeton me shpresën se pasi është larguar nga Anglia me shi, ngjyrat kuq e zi të fanellës së tij të re mund të mbajnë rrufetë në një distancë sigurie. Madje tifozët shpresojnë që të jetë ai rrufeja që do të vetëtijë ndaj skuadrave rivale.
FJALËT E PARA – Ruben Loftus-Çik ka nënshkruar kontratë me Milanin deri në vitin 2027. Anglezi është përforcimi i dytë zyrtar i kësaj merkatoje. Teksa klubi vijon punën për të finalizuar goditje të tjera, mesfushori ka bërë një postim në rrjetet sociale për të përshëndetur ish-skuadrën e tij, Çelsi, përpara se të hidhej me kokë në aventurën e re të kuqezinjve. Loftus-Çik ka publikuar një video për të rikthyer kohën e tij në Londër, e cila fillon nga akademia e të rinjve dhe përfundon këtë vit: “Faleminderit për gjithçka”, është mesazhi që shoqëron videon, ndërkohë që tifozëve të rinj u ka premtuar impenjim maksimal dhe mirënjohje për pritjen që i kanë rezervuar gjatë ditëve të fundit.
Kujtojmë se lojtari është ndjekur hap pas hapi që të mërkurën kur mbërriti në Milano e në ditët në vijim gjatë të cilave ka kryer vizita mjekësore e deri te firma me klubin e ri. I blerë për 16 milionë euro, kuqezinjtë do t’i paguajnë Çelsit edhe dy milionë euro të tjera në formë bonusesh duke hedhur poshtë zërat e parë për një operacion 21 milionë eurosh. Ai do të jetë nën urdhrat e Piolit që nga 10 korriku kur Milani të grumbullohet në “Milanello”.
REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL